Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë me një sqarim ndaj akuzave që i janë bërë, të premten, se në postimin e saj në rrjetin social Facebook ku e ka përkujtuar Betejën e Koshares, nuk e ka përmendur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ajo ka thënë se ndaj saj është duke u bërë propagandë dhe se kjo nuk është hera e parë.
Osmani në rrjetin social Facebook ka shkruar se “Prekazi, Likoshani, Çirezi, Gllogjani, Loxha, Llapushniku, Vërrini, Tabet e Llapashticës, Shala e Bajgorës, Kosharja e Pashtriku, si dhe gjithandej në Kosovë ku UÇK luftoi, janë frymëzimi , burim i krenarisë dhe dhimbjes për të gjithë djemtë dhe vajzat e Kosovës që humbëm në luftën për liri”.
“Por, nuk është hera e parë që bëhet një luftë speciale e ndërtuar mbi të pavërteta, sikur kjo e ditës së djeshme. Si çdoherë, po e përsëris, lufta e drejtë e UÇK-së, të gjithë dëshmorët e martirët, më së shumti nderohen kur ne punojmë mirë e drejtë për të gjallët dhe e ndërtojmë shtetin tonë mbi idealet që i kishin luftëtarët e lirisë dhe të gjithë ata që dhanë jetën për shtetin që e gëzojmë. Përtej propagandës së orkestruar, dëshmitë flasin ndryshe”, ka shkruar Osmani.
Ajo, po ashtu ka publikuar edhe një video e cila përmban paraqitjet e saj të ndryshme ku e përmend UÇK-në.