Samiti i ardhshëm i NATO-s, Samiti i Procesit të Berlinit dhe situata në veri të Kosovës, kanë qenë temat e diskutimit në mes të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të enjten në Prishtinë, ka njoftuar Presidenca.
Sipas njoftimit, Osmani ka konfirmuar përkushtimin e Kosovës për t’i adresuar sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni, së bashku me partnerët euroatlantikë.
Për veriun, Osmani ka thënë se Kosova ka demonstruar vullnet për shtensionim.
“Në raport me situatën e sigurisë në veri, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës. Për më tepër, theksoi se është e domosdoshme që ata që kanë sulmuar NATO-n, gazetarët, policinë e Kosovës dhe qytetarët në veri, të jenë përgjegjës para ligjit, sepse pandëshkueshmëria mund të nxisë edhe më shumë dhunë”, thuhet në komunikatë.
Për Procesin e Berlinit, samiti i ardhshëm i të cilit do të mbahet në Tiranë, është biseduar për “domosdoshmërinë e hyrjes në fuqi të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë proces, e sidomos asaj që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, si dhe për mundësinë e rritjes së projekteve dhe fondeve përfituese për vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit”.
“Nga ana tjetër, sa i përket Samitit të NATO-s, Presidentja falënderoi Shqipërinë për përkrahjen e vazhdueshme sa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë aleancë, ndërkaq ritheksoi rëndësinë e ecjes përpara me anëtarësim në Partneritet për Paqe, si hap drejt anëtarësimit të plotë në NATO, i cili njëkohësisht do t’i kontribuonte stabilitetit afatgjatë në rajon”, thuhet në komunikatë.
Në fund është thënë se dy krerët janë dakorduar për “vazhdim të koordinimit në të mirë të qytetarëve të dy shteteve tona si dhe në të mirë të paqes dhe sigurisë rajonale”.