LAJME

Verifikimi i rezultateve dhe numërimi i votave për kandidatë nis në 15 komuna, pasdite edhe në 23 të tjera

Verifikimi i rezultateve dhe numërimi i votave për kandidatë nis në 15 komuna, pasdite edhe në 23 të tjera
TV Prizreni
TV Prizreni
8 Qershor 2026, 12:06

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se pas ditës së zgjedhjeve do të nisë procesi i verifikimit dhe numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) në Kosovë.

Sipas njoftimit të KQZ-së, fillimisht do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime.

“Pas ditës së zgjedhjeve, në 38 QKN do të zhvillohet procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë. Paraprakisht do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime,” thuhet në njoftim.

Verifikimi dhe numërimi është planifikuar të fillojë paraditen e së hënës në QKN-të e 15 komunave, përfshirë Leposaviqin, Novobërdën, Obiliqin, Shtimen, Shtërpcën, Zubin Potokun, Zveçanin, Junikun, Mamushën, Hanin e Elezit, Graçanicën, Ranillugun, Parteshin, Kllokotin dhe Mitrovicën e Veriut.

Ndërkaq, në pasditen e së njëjtës ditë në orën 16:00, procesi do të fillojë edhe në QKN-të e 23 komunave të tjera, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Pejën, Gjilanin, Ferizajn, Gjakovën dhe të tjera.

KQZ ka njoftuar gjithashtu se për fillimin e verifikimit dhe numërimit në të gjitha komunat do të mbahet konferencë për media në orën 16:30 në QKN “1 Tetori” në Prishtinë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika