Paga minimale në Kosovë duhet të rritet pasi që është shënuar trend pozitiv i rritjes graduale ekonomike, kështu ka thënë njohësi i këtyre çështjeve, Bardh Ahmeti.
Ahmeti ka konsideruar se me rritjen e kostos së punës në treg, janë krijuar kushtet për një ngritje të pagës minimale mbi nivelin aktual.
“Paga minimale duhet të vije në rritje me rritjen e standardit dhe rritjen e kostos së jetesës. Meqenëse Kosova ka qenë në një fazë të rritjes graduale ekonomike, një trendi pozitiv, flas para pandemisë atëherë është e natyrshme rritja e pagës minimale që do të krijonte një mirëqenie më të mirë sociale për qytetarët e Republikës së Kosovës. Janë disa kritere të cilat duhet marren për bazë sa i përket përcaktimit të pagës minimale dhe besoj se janë krijuar kushtet që paga minimale të rritet mbi nivelin që është tani, marrë parasysh që edhe kostoja e punës është rritur në tregun e punës”, është shprehur ai.
Sipas Ahmetit, Kosovës i duhet një treg i formalizuar, pasi që ka një numër të konsiderueshëm të punëtorëve që punojnë pa paga dhe pa mbrojtje të duhur ligjore.
“Është shumë e rëndësishme të kemi një treg të punës të formalizuar, besoj që pothuajse që pjesa dërmuese e tregut te punës të formalizohet pasi që ka një numër të konsiderueshëm të punëtorëve të cilët punojnë pa paga dhe nuk e kanë as mbrojtjen minimale ligjore karshi punëdhënësit të tyre”, ka shtuar ai.
Kurse sipas Ahmetit, prioritet i Qeverisë Kurti duhet të jetë sektori privat, përkatësisht përkrahja e prodhimit vendor, pasi Kosova mund të përfitojë nga ndryshimet ekonomike botërore.
“Prioritet ekonomik i kësaj Qeverie duhet të jetë sektori privat, përkrahja e prodhimit vendor që do të ndikonte në stimulimin e eksporteve dhe thithja e investimeve të huaja, pasi që ka kohë që kemi ngecur në këtë pikë. Të gjitha parashikimet thonë që pas krizës së pandemisë do të ketë një “boom ekonomik” dhe vendet në zhvillim si vendi jonë ka hapësirë dhe është atraktiv shpesh herë për investitorët e mëdhenj. Kështu thirrja do të ishte që të fokusohen në sektorin privat, këtu duhet të kemi kujdes edhe te lidhshmëria pagës minimale me skema sociale”, ka thënë ai.
Ndërsa njohësi tjetër i kësaj fushe, Mustafë Kadriaj ka thënë se ekonomia e tregut nuk i njeh vendimet arbitrare si rritjen e pagës minimale, pasi që sipas tij, këtë e përcakton vetë fuqia ekonomike, likuiditeti dhe realizimi ekonomikë që kanë bizneset.
“Qeveria mund të marr vendim dhe është diçka që nuk mund ta ndal askush për faktin që ka një shumicë parlamentare të pakontestueshme. Por duhet marrë parasysh që ekonomia e tregut pa marrë parasysh që ke vendime arbitrare nuk i pranon për faktin se duhet t’ia bëjmë të qartë kryeministrit dhe çdo Qeverie që ekonomia e tregut në bazë të fuqisë ekonomike dhe në bazë të realizmit ekonomik financiar, likuiditetit financiar çdo biznes arrin atë qëllimin e rritjes së pagës minimale për secilin punëtorë”, është shprehur ai.
Poashtu Kadriaj ka pohuar se ekzistojnë dy rreziqe në rast të rritjes së imponuar të pagës minimale nga Qeveria për bizneset.Ai konsideron se e para është largimi i punëtorëve nga puna dhe e dyta kalimi i punëtorëve në informalitet.
“Në këtë rast nëse bizneseve në këtë kohë u imponohet nga Qeveria ta rrisin pagën minimale vlerësoj që do të rëndohen në dy mënyra që nuk është e mirë edhe pse nuk kanë rrugë tjetër. Rruga e parë që mund ta marrin është zvogëlimi i numrit të punëtorëve që kjo për ekonominë e vendit do të del jashtëzakonisht keq, ose rruga tjetër ne e keqja është kalimi i punëtorëve në informalitet që kjo do ta dëmtonte arkën e shtetit. Pra Qeveria e Kosovës nuk mund të arrij asgjë veç të destabilizojë aktivitetin ekonomik në nivel të vendit” ka shtuar ai.
Gjithashtu Kadriaj ka konsideruar se qytetarët në Kosovë e kanë të nevojshme rritjen e pagës minimale, por ajo duhet të vijë vetëm në kohën kur këtë e dikton vetë fuqia e biznese.
“Qeveria ka komoditet që mund të bëjë planifikime afatgjate së paku për katër vite, prandaj vlerësoj që Qeveria aktuale duhet ta ketë prioritet daljen nga pandemia duke vaksinuar qytetarët dhe njëherit rimëkëmbja ekonomike që në momentin që fuqizohet biznesi në Kosovë, nuk ka nevojë të rritet paga minimale për faktin se vetë fuqia e bizneset e dikton të rritet paga minimale. Parimisht jam që të rritet paga minimale pasi në Kosovë edhe me 500 euro nuk mund të kalojë muajin një familje mesatare, por për faktin që ekonomia e tregut nuk i njeh ligjet arbitrare por është konkurrenca dhe fuqia ekonomia që e dikton nivelin e rritjes së pagës dhe zhvillimit ekonomik” ka përfunduar ai për EO.