Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë kanë treguar për një deficit tregtar prej 16,1 për qind në muajin qershor 2026, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 578,3 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 498,3 milionë euro në vitin 2025.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për eksportin dhe importin thonë se eksporti mbulon importin me 15,0 për qind.
Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në muajin qershor 2026 kishte vlerën 102,0 milionë euro, ndërsa importi 680,3 milionë euro, që është një rritje prej 26,9 % për eksport, si dhe një rritje prej 17,6 % për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit 27,4 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12,7 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,6 % e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8,7 % e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 7,1 % e përbëjnë produktet minerale, etj.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit, 15,2 % e përbëjnë produktet minerale; 13,0 % e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12,0 % e përbëjnë mjetet e transportit; 11,9 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 9,8 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.
Sa i përket eksporteve të Kosovës me vendet e Bashkimit Evropian, ato kanë arritur në 32,5 milionë euro, ose rreth 31,9 % e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 17,7 %.
Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin Gjermania (10,1 %), Holanda (3,8 %), Italia (3, 1), etj.
Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 304,9 milionë euro, ose 44,8 % e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 22,2 %. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (13,3 %), Italia (8,6 %), Polonia (4,3 %), etj.
Ndërsa, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 44,0 milionë euro, ose 43,1 % të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 19,3 %. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (16,7 %), Shqipëria (14,3 %), Mali i Zi (5,7 %), Serbia (4,0 %), etj.
Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 98,7 milionë euro, ose 14,5 % të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 19,3 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (5,4 %), Shqipëria (4,8 %), Serbia (3,0 %).
ASK-ja ka përcjellë edhe eksportet e importet me vendet e tjera. Eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 25,5 milionë euro, ose 25,0 %. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (10,0 %) dhe Turqia (5,4 %). Kurse, importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 276,7 milionë euro, ose 40,7 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (15,1 %) dhe Turqia (11,6 %)./koha.net/