692 milionë euro është vlera e remitancave që mërgimtarët i kanë sjellë në Kosovë në gjashtë muajt e parë të vitit 2026. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kjo shumë është për 5.7 për qind më e madhe.
Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla. Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo shifër tregon shumë më tepër se një kontribut ekonomik.
“Për vite me radhë, nga çdo cep i Evropës dhe përtej Atlantikut, mërgata është pranë Kosovës. Me punën e saj, me sakrificën e saj dhe me kontributin e saj. Është pranë saj edhe sot, si pjesë e fuqisë ekonomike dhe e potencialit të Kosovës për të ardhmen. Vetëm në periudhën janar-qershor 2026, remitancat nga mërgata arrijnë në 692 milionë euro, apo 5.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një shifër që tregon shumë më tepër se një kontribut ekonomik. Tregon pikërisht lidhjen e pandashme që nuk e kanë këputur as mijëra kilometra largësi. Tregon se sa fort mërgata jonë vazhdon ta mbajë Kosovën afër vetes dhe të jetë pjesë e pazëvendësueshme e saj”, ka shkruar Gërvalla e cila mban edhe postin e ministres së Drejtësisë.





