EKONOMI

Oda Ekonomike kërkon urgjent një pako ndihmëse për prodhuesit: Jemi me vite prapa

Oda Ekonomike kërkon urgjent një pako ndihmëse për prodhuesit: Jemi me vite prapa
TV Prizreni
TV Prizreni
21 Korrik 2026, 08:38

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se dëmet ekonomike që iu kanë shkaktuar bizneseve janë tejet të mëdha. Sipas Rafunës më së shumti ka ndikuar bllokada institucionale prej 16 muajsh e vendit.

Rafuna në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se bizneset do t’i ndihmonte një paketë si mbështetje për bizneset dhe për të ulur edhe importin që sipas tij po dominon.

“Po bëhemi të varur prej importit dhe po na ulet prodhimi dhe po ulet eksporti. Nga ana tjetër nuk kemi insittucione fuqiplota. E dimë që Kosova thuajse prej më shumë se 16 muajsh është pa institucione. Nuk ka pasur kompetencë për reforma të thella ashtu siç e kërkon biznesi edhe të politikat fiskale edhe te sundimi i ligjit edhe te shëndetësia. Na nevojitet urgjent një paketë që e ndihmon prodhuesin tonë, e mbron atë dhe e ulë importin e e rritë prodhimin e eksportin vendor”, ka deklaruar Rafuna.

Rafuna është shprehur duke qenë se kemi pasur kryesisht Kuvend jofunksional, nuk kanë mundur as të realizohen reformat e nevojshme për bizneset.

Ai ka dhënë detaje edhe për masat e nevojshme në kuadër të pakos e cila do të ndihmonte prodhuesin e bizneset në Kosovë.

“Na nevojitet një paketë me një mori masash sepse kemi mbetur me vite prapa me reforma. Te politika fiskale e kemi një masë që biznesi e kërkon që katër vite – reforma e TVSH-së. Pastaj rregullimi i çështjes së pagesave. Kemi nevojë për lirim nga tatimi doganor edhe për makineri të tjera që shërbejnë për procesin e prodhimit, shto këtu që kemi nevojë si diplomaci ekonomike të angazhohemi që prodhimet tona ta gjejnë veten në tregun e Bashkimit Evropian. Ai është treg sekondar për prodhimet e Kosovës pas tregut rajonal që e kemi CEFTA-n”, ka thënë Rafuna në KTV.

Ai ka thënë se tregu i Kosovës ka nevojë edhe për një ambient më miqësor të biznesit veçanërisht për investimet e huaja.

Banka Qendrore e Kosovës ka paralajmëruar ngadalësim të rritjes ekonomike të Kosovës për sivjet, dhe rritje të inflacionit.

Në dokumentin e miratuar dhe dërguar në Kuvendin e Kosovës, evidentohet e dhëna se deficiti tregtar i mallrave ka shënuar rritje prej 12.5 për qind, duke arritur vlerën prej 6.1 miliardë euro. Eksporti i mallrave ka arritur në 942.1 milionë euro, duke shënuar rënie të lehtë prej 0.2 për qind kundrejt vitit paraprak.


Rafuna: Prodhimet tona po i bëjnë konkurrencë edhe prodhimeve të shumë vendeve të BE-së

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se prodhimet vendore po i bëjnë konkurrencë prodhimeve kryesisht të rajonit por edhe të shumë vendeve të Bashkimit Evropian. 

Ai ka thënë se duhet strategji nga institucionet e Kosovës për të parë se në cilët sektor Kosova është konkurrence dhe të përkrahen ata sektorë. 

“E them me plotë përgjegjësi dhe ndihem krenar me prodhimet që prodhojnë prodhuesit kosovarë. Për një kohë kaq të shkurtër, këto prodhime që kemi, aq sa kemi, janë prodhime që po i bëjnë konkurrencë edhe prodhimeve që janë qindra vjet të vjetra e që prodhohen në vendet sidomos të rajonit por edhe shumë vende të Bashkimit Evropian”, ka thënë Rafuna në “Konfront” të KTV-së. “Tani na duhet strategji nga ana e institucioneve të Kosovës, plan për të parë se në cilët sektorë Kosova është konkurrese”. 

Ai ka thënë se Kosova mund të jetë konkurruese në industrinë e ushqimit, drurit dhe plastikës./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika