Punëtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për të cilin mbrëmë u raportua se është lënduar, ka vdekur si pasojë e një aksidenti të rëndë në vendin e punës.
KEK-u ka njoftuar se viktima është Haxhi Gojnovci, i cili ka vdekur më 16.08.2026, rreth orës 20:30.
Sipas njoftimit të KEK-ut, Gojnovci, i lindur më 23.04.1967 në Lismir të Fushë Kosovës, ishte i punësuar në KEK dhe mbante pozitën “Teknik i Xehtarisë” në kuadër të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit.
Aksidenti ka ndodhur gjatë kohës kur ai ishte duke kryer detyrat e tij të punës.
“Gjatë kryerjes së detyrave të punës dhe derisa po lëvizte në zonën e ekskavatorit, i ndjeri ka pësuar një aksident të rëndë, i cili fatkeqësisht ka rezultuar me humbjen e jetës së tij” – thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Korporata Energjetike e Kosovës ka shprehur ngushëllime për familjen, miqtë dhe kolegët e të ndjerit.
Rrethanat në të cilat ka ndodhur aksidenti dhe nëse rasti është duke u hetuar nga organet kompetente nuk janë bërë të ditura në njoftimin e KEK-ut.