LAJME

Vazhdon seanca konstituive e Kuvendit

Vazhdon seanca konstituive e Kuvendit
TV Prizreni
TV Prizreni
8 Gusht 2026, 08:10

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të vazhdojë sot, e shtunë, 8 gusht, në orën 11:00, me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar nga Kuvendi për sot në orën 11:00, ndërsa opozita kishte kërkuar që ajo të mbahej mbrëmë, duke argumentuar se në mesnatë përfundonte afati prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.

Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së u mblodhën mbrëmë në Kuvend, pasi kishin kërkuar që seanca të vazhdonte në orën 22:30, por ajo nuk u mbajt. Ata thanë se dyert e sallës ishin të mbyllura.

Në seancën konstituive, e cila kishte nisur të enjten, deputetët bënë betimin, ndërsa më pas punimet u ndërprenë pasi nuk u paraqit emri i kandidatit për kryetar të Kuvendit.

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, kishte kërkuar kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike me partitë.

Opozita ka kundërshtuar shtyrjen e procesit përtej afatit, duke e cilësuar atë si mosrespektim të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka rikujtuar se edhe në vitin 2025 Kuvendi nuk ishte konstituuar brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore.

Vazhdimi i seancës është caktuar për sot në orën 11:00. Përfaqësuesit e opozitës ende nuk kanë bërë të ditur nëse do të marrin pjesë.

 

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika