(E shkruar në Kukës, 13 ditë pas varrimit të Dëshmorëve të 11 Marsit, 2 ditë pasi forcat serbe na dëbuan me dhunë nga shtëpitë tona!)
I gjatë, i dobët, me fytyrë të hollë, hundë shqiponje, i zbehtë.
Me gishtërinjtë eshtorë shtrëngoi fort automatikun e mbështetur mbi gjoks. Ditët e fundit të dimrit të madh, 17 marsi i vitit 1999, Pagarushë. Binte shi dhe borë. Era e rrëmbyer vërviste përmbi fytyren e tijë rrëke uji të ftohtë. Kapela ju kishte bërë qull. Gjaketa ushtarake ju kishte ngjitur për trup. Qëndronte pa lëvizur pran nji arkivoli. Turma e njerëzve rrinte si e ngrirë. Dëgjohej vetëm rrëpllima e kazmave dhe llopatave. Hapeshin varret e nëntë dëshmorëve të rënë më 11 mars 1999 në Jeshkovë të Vrrinit.
Qetësinë e trishtueshme e prishi vaji i nënës sime e cila kisht rënë mbi arkivolin e të birit, vëllaut tim Ferizit.
U dridhë i tëri. I trembur u përkul dhe vuri dorën mbi supin e nënës.
-Mos qajë nënë. Të paktën ti po e varrosë djalin tënd me duart tua. E mua (lëshoi nji ofshamë të thellë dhe sikur i mbet fjala në fyt)…E mua nëna ime ndoshta nuk do të ma din as varrin se ku e kam.
Filloi të errët. Diku nga larg një krismë e fuqishme lëkundi turmën e trishtuar. Një oficer me kapelë në dorë, me vrap iu afrue togut të ushtarëve të cilët ishin bërë gati për ti dhënë nderimin e fundit shokëve të vrarë.
– O djemë, shkau po i sulmon forcat tona në Kabash, ju duhen përforcime, më shpejt ju lutem!
Në kamionetën me mushema ngjyrë hiri, i fundit hypi ushtari i panjohur . Erë e rrëmbyeshme, vetëtimë, detonime, bubullimë, shi dhe borë. Natë e frikshme!.Në mes të këtij trishtimi dhe ankthi më bëhej sikur dëgjoja fjalët ,,nëna ime ndoshta nuk do të ma din as varrin se ku e kam”.
Xhelal Susuri,
Më 30 mars 1999
Kukës