Ura e Gurit, një nga simbolet më të njohura të Prizrenit, po përballet me një realitet aspak të këndshëm, që nuk i ka hije një monumenti me vlera të veçanta historike dhe kulturore. Hapësira nën këtë urë historike po përdoret si tualet publik nga persona të papërgjegjshëm, ndërsa herë pas here nën harkun e saj janë parë edhe persona duke kaluar natën.
Mijëra turistë që vizitojnë Prizrenin ndalen për të fotografuar Urën e Gurit, një nga monumentet që i jep identitet qytetit historik. Mirëpo, ata që zbresin shkallëve për të realizuar fotografi pranë urës, përballen me një erë të rëndë dhe të pakëndshme, që ua zbeh përjetimin e vizitës.
Është për të ardhur keq që një monument me kaq shumë vlera historike dhe kulturore të përballet me një situatë të tillë, si pasojë e sjelljeve të papërgjegjshme dhe mungesës së kujdesit të duhur për hapësirat publike.






