Policia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përfunduar Kursin për Mbrojtje të Afërt, të organizuar në kuadër të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe Ministrisë Federale të Mbrojtjes së Gjermanisë për vitin 2026.
Sipas njoftimit, trajnimi është zhvilluar nga instruktorë të certifikuar të Policisë Ushtarake të FSK-së, në bashkëpunim me instruktorë të Policisë Ushtarake Gjermane, me qëllim të avancimit të aftësive profesionale dhe shkëmbimit të përvojave.
Gjatë kursit, pjesëmarrësit janë trajnuar në disa fusha, përfshirë qitjen me armë, teknikat e vetëmbrojtjes, vozitjen emergjente, taktikat e lëvizjes dhe formacionet, si dhe përgatitjen fizike e psikologjike.
Trajnimi ka përfshirë edhe aktivitete praktike, të përshtatura me detyrat dhe përgjegjësitë e mbrojtjes së afërt.
Sipas FSK-së, përfundimi i këtij kursi synon forcimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të Policisë Ushtarake, ndërsa bashkëpunimi me instruktorët gjermanë vlerësohet si një mundësi për ngritjen e standardeve të trajnimit dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet dy vendeve.