Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, përfaqësuar nga Prof.ass.dr. Dorinë Rakaj, mori pjesë në takimin e organizuar nga Universiteti i Malit të Zi, në kuadër të Forumit të Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, e mbajtur më datë 20.04.2026, në Akademinë e Dijes, Budva. Tema e takimit ishte ‘‘Zyrat e Projekteve si Nxitëse të Bashkëpunimit Rajonal’’.
Sipas njoftimit, ngjarja mblodhi përfaqësues nga 14 universitete të rajonit, me qëllim të përbashkët forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale, krijimin e partneriteteve afatgjata dhe pozicionimin e mëtejshëm të universiteteve brenda hapësirës evropiane të kërkimit.
Në hapje të këtij takimi, thuhet se prorektorja për Ndërkombëtarizim e Universitetit të Malit të Zi, Prof. Dr. Sanja Peković, theksoi se universitetet luajnë një rol kyç jo vetëm në arsim dhe kërkim shkencor, por edhe si nxitës të inovacionit, bashkëpunimit dhe zhvillimit shoqëror. Ajo nënvizoi se bashkëpunimi dhe projektet ndërkombëtare përbëjnë bazën për arritjen e këtyre qëllimeve, duke kontribuar në ndërtimin e besimit, përcaktimin e prioriteteve të përbashkëta dhe zhvillimin e partneriteteve të qëndrueshme.
Gjatë takimit, bëhet e ditur se Prof.ass.dr. Dorinë Rakaj prezantoi temen: ‘‘The Role of Project Offices in Strengthening Regional Networks, Enhancing Institutional Capacity, and Fostering Sustainable Cooperation’’.
Ndërsa, siç bëhet e ditur, në pjesën e dytë të programit, përfaqësuesit e Forumit të Rektorëve iu bashkuan anëtarëve të Aleancës Ulysseus. Përmes punës së përbashkët në grupe të vogla, pjesëmarrësit filluan zhvillimin e ideve konkrete projektore, shkëmbyen përvoja dhe identifikuan fusha të mundshme për bashkëpunim në të ardhmen, njofton Universiteti.