Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, mori pjesë në Forumin e Ballkanit Perëndimor për Arsimin e Lartë dhe Inovacionin 2026 (Western Balkans Forum on Higher Education and Innovation 2026), i cili u mbajt më 8 dhe 9 tetor 2026 në Pécs të Hungarisë, në organizim të Universitetit të Pécsit, në bashkëpunim me Studyportals.
Forumi mblodhi përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë dhe partnerë ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimet në arsimin e lartë, inovacionin, ndërkombëtarizimin dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit akademik në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
Sipas njoftimit të Universitetit, në fokus të diskutimeve ishin forcimi i partneriteteve ndërmjet universiteteve, zhvillimi i kërkimit shkencor, mobiliteti i studentëve dhe stafit akademik, si dhe krijimi i mundësive të reja për projekte të përbashkëta dhe shkëmbim të përvojave.
“Këto tema janë me rëndësi të veçantë për universitetet e rajonit, të cilat synojnë të rrisin cilësinë e arsimit dhe të thellojnë integrimin në hapësirën evropiane të arsimit të lartë. Pjesëmarrja e Rektorit Alishani në këtë forum përbën një mundësi për promovimin e Universitetit ‘Ukshin Hoti’ Prizren dhe për zgjerimin e kontakteve me institucione të arsimit të lartë në Evropë, me synim zhvillimin e bashkëpunimeve që sjellin përfitime konkrete për studentët, stafin akademik dhe institucionin në tërësi.” – thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, një zhvillim i rëndësishëm në kuadër të marrëdhënieve ndërinstitucionale është se Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren tashmë është në proces të përgatitjes së marrëveshjes së bashkëpunimit me Universitetin e Pécsit.
Siç bëhet e ditur, kjo marrëveshje synon të krijojë bazë për bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet dy institucioneve, përfshirë mundësitë për mobilitet akademik, shkëmbim të përvojave dhe zhvillim të aktiviteteve të përbashkëta në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Universiteti i Prizrenit thekson se mbetet i përkushtuar ndaj ndërkombëtarizimit dhe forcimit të partneriteteve me universitete evropiane, duke synuar krijimin e mundësive të reja për zhvillim akademik, shkencor dhe institucional.
Në njoftimin e këtij institucioni akademik, tutje thuhet se Universiteti i Pécsit është një ndër institucionet më të njohura të arsimit të lartë në Hungari. Historia e arsimit universitar në qytetin e Pécsit daton që nga viti 1367, kur u themelua universiteti i parë në Hungari. Universiteti i sotëm, i konsoliduar në formën e tij aktuale në vitin 2000 përmes bashkimit të disa institucioneve të arsimit të lartë, është një universitet multidisiplinar me 10 fakultete dhe rreth 25 mijë studentë, sipas njoftimit.
“Me traditë të gjatë akademike, veprimtari kërkimore dhe orientim ndërkombëtar, Universiteti i Pécsit përbën një partner me potencial të rëndësishëm për zhvillimin e bashkëpunimit me Universitetin ‘Ukshin Hoti’ në Prizren. Përgatitja e marrëveshjes ndërmjet dy universiteteve shënon një hap drejt krijimit të një partneriteti të ri, i cili synon të hapë mundësi për shkëmbime akademike, bashkëpunim në projekte dhe avancim të mëtejshëm të ndërkombëtarizimit të Universitetit të Prizrenit.” – thuhet më tej.