LAJME

Fondacioni Federal Gjerman për Mjedis prezanton mundësitë e bursave për studentët e Universitetit te Prizrenit

Fondacioni Federal Gjerman për Mjedis prezanton mundësitë e bursave për studentët e Universitetit te Prizrenit
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Tetor 2026, 10:31

Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, të hënën u zhvillua një takim me rektorin e Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, përfaqësuesin e Fondacionit Federal Gjerman për Mjedisin (Deutsche Bundesstiftung Umwelt – DBU), Dr. Alexander Bittner, si dhe studentë të interesuar për mundësitë e zhvillimit akademik dhe profesional përmes programit të bursave DBU CEE-Fellowship.

Në kuadër të këtij takimi, Dr. Alexander Bittner dhe z. Labinot Kryeziu, ish-përfitues i kësaj burse, prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron për studiuesit dhe profesionistët në fillim të karrierës nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Gjatë prezantimit, studentët u informuan për kushtet dhe përfitimet e programit, si dhe patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të marrin informacione të drejtpërdrejta rreth aplikimit.

“Programi DBU CEE-Fellowship mundëson qëndrim të financuar nga 6 deri në 12 muaj në Gjermani, në institucione kërkimore, kompani, organizata joqeveritare dhe institucione të sektorit publik që veprojnë në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe ruajtjes së natyrës. Përfituesit e bursës mbështeten financiarisht me 1,450 euro në muaj, duke krijuar mundësi për avancim të njohurive, përvojë ndërkombëtare dhe bashkëpunim profesional. Fondacioni Federal Gjerman për Mjedisin (DBU), i themeluar në vitin 1990, është ndër fondacionet më të mëdha mjedisore në Evropë dhe mbështet iniciativa inovative në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe ruajtjes së natyrës.” – thuhet në njoftimin e Universitetit të Prizrenit.

Përmes aktiviteteve të tilla, Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren thotë se synon të informojë studentët për mundësitë ndërkombëtare të studimit dhe zhvillimit profesional, duke nxitur interesimin për kërkimin shkencor, inovacionin dhe përfshirjen në iniciativa që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika