LAJME

Konjufca në Pragë: Kosova me përparim të vazhdueshëm falë edhe partneritetit me ShBA-në dhe BE-në

Konjufca në Pragë: Kosova me përparim të vazhdueshëm falë edhe partneritetit me ShBA-në dhe BE-në
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Tetor 2026, 10:02

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, mori pjesë në edicionin e 30-të të Forumit 2000 në Pragë, në panelin “Bridging the Divide – Crafting a Transatlantic Roadmap for Tech & Economic Security”, ku diskutoi rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Sipas njoftimit të MPJD, gjatë diskutimit, zëvendëskryeministri Konjufca theksoi se Republika e Kosovës është dëshmi konkrete e suksesit të bashkëpunimit transatlantik.

“Nga një vend i shkatërruar nga lufta në një demokraci që sot po lulëzon në paqe, Kosova ka shënuar përparim të vazhdueshëm falë qëndrueshmërisë së institucioneve të saj dhe partneritetit të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.” – theksoi ai.

Duke iu referuar sulmeve terroriste në Banjskë dhe në kanalin e Ibër-Lepencit, ai nënvizoi se, pavarësisht kërcënimeve serioze dhe përpjekjeve për destabilizim, institucionet e Republikës së Kosovës kanë dëshmuar vendosmëri dhe kapacitet për t’u përballur me këto sfida, duke mbrojtur sigurinë e vendit, me mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve transatlantikë.

Sipas Konjufcës, përvoja e Republikës së Kosovës dëshmon rezultatet konkrete të unitetit transatlantik dhe rëndësinë e ruajtjes së këtij partneriteti për sigurinë dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika