LAJME

Universiteti i Prizrenit mirëpret pjesëmarrësit e Seminarit të 44-të Ndërkombëtar

Universiteti i Prizrenit mirëpret pjesëmarrësit e Seminarit të 44-të Ndërkombëtar
TV Prizreni
TV Prizreni
22 Gusht 2026, 21:27

Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren mirëpriti mbi 100 seminaristë, referues dhe studiues të albanologjisë nga vende të ndryshme të botës, në kuadër të edicionit të 44-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Në hapje të aktivitetit, rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Asoc.Dr. Mentor Alishani, u uroi mirëseardhje pjesëmarrësve dhe i njohu ata me profilin e Universitetit, njësitë akademike, programet e studimit, zhvillimin institucional, numrin e studentëve dhe veprimtarinë akademike e shkencore. Ai foli gjithashtu për punën dhe arritjet e Universitetit, si  dhe  për forcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar e ndërkombëtar.

Rektori Alishani dhe dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Prof. Asoc. Dr. Vjollca Dibra, falënderuan seminaristët, referuesit dhe studiuesit e albanologjisë për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në studimin, kultivimin dhe promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Mirënjohje e veçantë iu shpreh Prof. Dr. Linditë Sejdiu, drejtoreshë e Seminarit, për punën e saj të palodhshme, përkushtimin dhe organizimin e edicionit të sivjetmë, si dhe dekanit të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Abdulla Rexhepi, për bashkëpunimin dhe kontributin e tij.

Paneli u drejtua bashkërisht nga Prof. Asoc. Dr. Vjollca Dibra dhe Prof. Aleksandër Novik. Në kuadër të tij u paraqitën kumtesa që trajtuan çështje të trashëgimisë gjuhësore e kulturore shqiptare, receptimin e letërsisë shqipe jashtë vendit, si dhe Kosovën nga këndvështrimi juridik dhe diplomatik. Pas referimeve, pjesëmarrësit zhvilluan diskutime dhe shkëmbyen pikëpamje rreth temave të paraqitura.

Organizimi i kësaj veprimtarie në Universitetin “Ukshin Hoti” dëshmoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe krijoi një hapësirë të vlefshme komunikimi ndërmjet studiuesve vendorë dhe ndërkombëtarë. Një kontribut të çmuar në pritjen e pjesëmarrësve dhe në mbarëvajtjen e aktivitetit dhanë edhe studentët vullnetarë.

Përmes kësaj ngjarjeje, Prizreni u bë edhe një herë pikëtakim i studiuesve të albanologjisë dhe qendër e dialogut shkencor kushtuar gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika