Shtëpia evropiane e futbollit, UEFA, në mesin e shumë ekipeve, është ndalur te Ballkani për të shfaqur rritjen e skuadrës së Superligës së Kosovës. Ballkani, kampion i dy edicioneve të fundit në elitën e futbollit kosovar, po merr pjesë për herën e dytë rresht në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Përveç pjesëmarrjes, Ballkani ka shfaqur nivel të lartë të futbollit dhe kjo është vlerësuar.
“Aston Villa ballafaqohet me AZ Alkmaarin në ndeshjen interesante të Grupit E, Fenerbahçe kërkon të jetë i përkryer, kurse Ballkani synon arritjen e një tjetër momenti të rëndësishëm”, ka shkruar UEFA të mërkurën, kur ka treguar se çfarë mund të presim nga ndeshjet e xhiros së tretë të fazës grupore të Ligës së Konferencës. Ballkani nga dy ndeshjet e para të Ligës së Konferencës në këtë edicion ka një disfatë e një fitore në Grupin C. U mposht nga Viktoria Plzeni në Republikën e Çekisë 1:0, ndërsa fitoi 2:0 në Prishtinë ndaj Dinamos së Zagrebit.
Fitorja ndaj Dinamos kroate ishte historike.
“Në edicionin e kaluar Ballkani u bë skuadra e parë nga Kosova që merr pjesë në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Menjëherë e fitoi pikën e parë të Kosovës, në shtëpi kundër Clujit, dhe më pas erdhi fitorja e parë e këtij shteti, kur mposhti Sivassporin në ndeshjen dramatike me shtatë gola në Turqi”, ka vazhduar tutje në shkrimin e UEFA-s, ku më pas është ndalur në fitoren ndaj Dinamos së Zagrebit. “Në xhiron e dytë kësaj radhe ata befasuan 24 herë kampionen e Kroacisë, Dinamon e Zagrebit, në Prishtinë, për ta shënuar fitoren e parë në shtëpi në grupet e garave evropiane. Çfarë tjetër për kampionin në fuqi të Kosovës? A mund ta ëndërrojë kalimin në fazën nokaut? Ndeshja e radhës për ta në Grupin C është në shtëpi kundër Astanas pa pikë”, ka shkruar UEFA.
Ballkani kundër Astanas në “Fadil Vokrri” do të luajë më 26 tetor nga ora 18:45. Viktoria Plzeni ka gjashtë pikë në dy ndeshje. Ballkani e Dinamo e Zagrebit kanë nga tri pikë, kurse Astana e fundit është pa pikë. Më 9 nëntor, Ballkani udhëton te skuadra nga Kazakistani, Astana. Luan në shtëpi më 30 nëntor kundër Viktoria Plzenit, ndërsa e mbyll fazën grupore në udhëtim te Dinamo më 14 dhjetor. Ballkani në edicionin e kaluar të Ligës së Konferencës kishte një fitore, një barazim e katër disfata.