Anëtari i Kuvendit Komunal të Prizrenit, Petrit Hoxhaj, i është drejtuar kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj, me kërkesën që punëtorët e kompanisë “Eko Regjioni” të përfshihen në skemën e subvencionimit të biletave të transportit urban.
Hoxhaj ka bërë të ditur se këtë propozim e ka ngritur edhe më parë gjatë një seance të Kuvendit Komunal, ku është diskutuar çështja e subvencionimit të transportit, si dhe përmes shkresave zyrtare drejtuar kryetarit Totaj dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike.
Sipas tij, punëtorët e “Eko Regjionit” janë ndër kontribuuesit e rëndësishëm në mirëmbajtjen e pastërtisë së qytetit, duke kryer punën e tyre çdo ditë, pavarësisht kushteve atmosferike.
Hoxhaj ka vlerësuar se përfshirja e kësaj kategorie në subvencionimin e transportit urban do të përbënte një lehtësim ekonomik për punëtorët dhe familjet e tyre, duke pasur parasysh vështirësitë me të cilat përballen.
Ai i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, që ta shqyrtojë këtë kërkesë dhe të mundësojë përfshirjen e punëtorëve të “Eko Regjionit” në skemën e subvencionimit të biletave të autobusëve urbanë.
“Këta punëtorë kujdesen çdo ditë për qytetin tonë. Është e arsyeshme që edhe institucionet tona të kujdesen për mirëqenien e tyre!”, ka theksuar Hoxhaj.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.