LAJME

Mjekët realizojnë për herë të parë një operacion kompleks në aortë, shpëtohet 52-vjeçari në QKUK

Mjekët realizojnë për herë të parë një operacion kompleks në aortë, shpëtohet 52-vjeçari në QKUK
TV Prizreni
TV Prizreni
11 Nëntor 2026, 11:06

Një arritje e rëndësishme në fushën e kardiokirurgjisë është shënuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku për herë të parë një ekip vendor mjekësh ka realizuar me sukses zëvendësimin e plotë të harkut të aortës, një ndër ndërhyrjet më komplekse të kirurgjisë kardiovaskulare.

Pacienti 52-vjeçar, i cili ishte në gjendje kërcënuese për jetën, është rikuperuar me sukses dhe tashmë ndodhet në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

Kështu ka bërë të ditur kardiokirurgu Endrit Shala, në një prononcim për Telegrafin. Ai ka njoftuar se ndërhyrja është realizuar rreth dy muaj më parë nga një ekip vendor i Shërbimit të Kardiokirurgjisë në QKUK, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zhvillimin e kirurgjisë së avancuar të aortës në Kosovë.

Sipas tij, pacienti 52-vjeçar ishte diagnostikuar me diseksion akut torako-abdominal të aortës, të tipit Stanford A, një gjendje jashtëzakonisht e rëndë që karakterizohet nga çarja e shtresës së brendshme të murit të aortës dhe që kërkon ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale.

Gjithçka kishte nisur kur 52-vjeçari ishte paraqitur në Spitalin Rajonal të Ferizajt me dhimbje të forta në kraharor dhe shpinë.

Mjekët e këtij spitali kishin dyshuar me kohë për një problem serioz të aortës dhe kishin vendosur ta referonin urgjentisht pacientin në QKUK.

Shala ka vlerësuar lart profesionalizmin e mjekëve në Ferizaj, duke theksuar se diagnostikimi i hershëm dhe transferimi në kohë kanë qenë faktorë shumë të rëndësishëm për trajtimin e pacientit.

“Operacioni është kryer para dy muajsh te një 52-vjeçar, i cili ka pasur një prej emergjencave më të mëdha të kirurgjisë së aortës. Është diagnostikuar me kohë, falë mjekëve fantastikë në Spitalin e Ferizajt, dhe më pas është transferuar në QKUK, ku është rikonfirmuar diagnoza dhe është proceduar me kirurgji emergjente”, ka deklaruar Shala për Telegrafin.

Pas ekzaminimeve të specializuara në QKUK, mjekët konfirmuan diseksionin akut të aortës Stanford A dhe vendosën për ndërhyrje të menjëhershme.

Gjatë ndërhyrjes, ekipi kirurgjikal konstatoi se çarja fillestare e shtresës së brendshme të aortës ndodhej në harkun e saj.

Për këtë arsye, u vendos të realizohej zëvendësimi i plotë i harkut të aortës (Total Aortic Arch Replacement), një procedurë shumë e avancuar që përfshin rindërtimin e segmentit të aortës nga i cili dalin enët kryesore që furnizojnë me gjak trurin dhe pjesë të tjera të trupit.

Por, përveç kësaj ndërhyrjeje, ekipi arriti të realizonte edhe riparimin e valvulës aortale, duke ruajtur valvulën natyrale të pacientit dhe duke shmangur nevojën për zëvendësimin e saj me një protezë.

“Është realizuar zëvendësimi i harkut të aortës dhe është riparuar valvula e aortës. Janë dy procedura në të njëjtën kohë. Zëvendësimi i plotë i harkut të aortës është procedurë shumë komplekse, që nga ekipi vendor është kryer për herë të parë”, ka shpjeguar kardiokirurgu.

Ai ka theksuar se operacione të tilla kërkojnë ekspertizë të lartë, përgatitje të specializuar dhe bashkëpunim të ngushtë ndërmjet kardiokirurgëve, anesteziologëve, perfuzionistëve dhe personelit tjetër mjekësor.

Pavarësisht kompleksitetit të operacionit dhe rrezikut të lartë që paraqiste gjendja shëndetësore e pacientit, ndërhyrja përfundoi me sukses.

Periudha pas operacionit u karakterizua nga një rikuperim i shpejtë dhe ecuri e favorshme klinike.

Pas 11 ditësh trajtimi dhe kujdesi postoperator, 52-vjeçari u lirua nga spitali në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

“Ndërhyrja ka kaluar me sukses. Pacienti është rikuperuar shpejt dhe është liruar në shtëpi. Aktualisht është në përcjellje shumë të mirë shëndetësore”, ka bërë të ditur Shala.

Sipas tij, pacientët që kalojnë ndërhyrje të tilla duhet t’u nënshtrohen kontrolleve të rregullta mjekësore, sipas protokolleve të veçanta, për të monitoruar gjendjen e aortës dhe për të identifikuar me kohë komplikimet e mundshme.

Operacioni u realizua nga një ekip multidisiplinar i Shërbimit të Kardiokirurgjisë në QKUK, i udhëhequr nga kardiokirurgët Endrit Shala dhe Arben Muji.

Shala ka theksuar se suksesi i operacionit është rezultat i punës së përbashkët të të gjithë profesionistëve të përfshirë, që nga diagnostikimi fillestar dhe trajtimi emergjent deri te kujdesi intensiv dhe rikuperimi pas operacionit.

Shala ka folur edhe për rëndësinë e përgatitjes profesionale dhe përvojës ndërkombëtare në realizimin e ndërhyrjeve të kësaj natyre.

Ai ka treguar se studimet i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, ndërsa gjatë specializimit dhe më pas ka ndjekur trajnime profesionale në qendra të ndryshme spitalore në Evropë, përfshirë Turqinë, Gjermaninë, Italinë dhe Belgjikën.

Njëkohësisht është kirurg pjesëmarrës në dhjetëra misione ndërkombëtare për trajtimin e anomalive të lindur të zemrës tek fëmijët.

Shala, i cili është specialist i kardiokirurgjisë dhe punon në QKUK që nga viti 2021, ka theksuar se përvoja e fituar në qendrat ndërkombëtare po mundëson që procedura gjithnjë e më të avancuara të realizohen edhe në institucionet publike shëndetësore të Kosovës.

Ai ka përmendur gjithashtu bashkëpunimin shumëvjeçar me specialistë të kirurgjisë së aortës në Gjermani, me të cilët janë realizuar ndërhyrje të përbashkëta si në Kosovë, ashtu edhe jashtë vendit.

Sipas tij, zhvillimi i kësaj ekspertize është veçanërisht i rëndësishëm për pacientët kosovarë, të cilëve u krijohen mundësi për trajtim të specializuar brenda vendit.

“Kirurgjia e aortës është shumë e sofistikuar dhe kërkon mjekë me ekspertizë të lartë. Është fat i mirë për pacientët kosovarë që një trajtim i tillë tashmë mund të ofrohet edhe në shërbimin publik”, ka deklaruar ai.

Ndërhyrjet në harkun e aortës konsiderohen ndër procedurat më sfiduese të kardiokirurgjisë bashkëkohore, për shkak të ndërlikimeve anatomike dhe nevojës për të mbrojtur trurin dhe organet vitale gjatë operacionit.

Realizimi i suksesshëm i zëvendësimit të plotë të harkut të aortës, i kombinuar me ruajtjen dhe riparimin e valvulës aortale, përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm për kapacitetet profesionale të QKUK-së.

Për Shalën, ky sukses dëshmon se investimi në përgatitjen e mjekëve, përvetësimi i teknikave moderne dhe bashkëpunimi ndërkombëtar mund të sjellin rezultate konkrete për sistemin shëndetësor të Kosovës.

Ai shprehet optimist se zhvillimi i mëtejshëm i kësaj fushe do të mundësojë që edhe pacientët me sëmundje të rënda dhe komplekse të aortës të marrin trajtim të specializuar në vend.

“Kirurgjia moderne mund të marrë një dimension shumë modern edhe në Kosovë”, ka përfunduar Endrit Shala në prononcimin për Telegrafin.

Ndërkaq, pjesë e ekipit ishin: Kardiokirurgë, Dr. Endrit Shala dhe Dr. Arben Muji. Anesteziologë, Dr. Dafina Matoshi, Dr. Flamur Krasniqi dhe Dr. Abedin Gallapeni. Perfuzionistë, Vlora Abazi dhe Zejnullah Merturias. Instrumentiste, Fitore Zenelaj, Besjana Gashi dhe Shkendije Rexha. /Telegrafi

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika