UEFA ka publikuar të premten kalendarin zyrtar të ndeshjeve për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, dhe Kosova tani ka mësuar përballjet e plota në grup.
“Dardanët” do të nisin fushatën më 24 shtator me një ndeshje në shtëpi kundër Republikës së Irlandës, një përballje që pritet të jetë kyçe për nisjen e garës.
Tri ditë më vonë, më 27 shtator, Kosova do të udhëtojë për t’u përballur me Austrinë.
Muaji tetor sjell dy sfida të tjera të rëndësishme. Më 1 tetor zhvillohet takimi Izrael – Kosovë, ndërsa më 4 tetor, të besuarit e Franco Fodës rikthehen në shtëpi për përballjen Kosovë – Austri.
Dy ndeshjet e fundit të fazës në grupe do të luhen në muajin nëntor.
Më 14 nëntor, Kosova pret Izraelin, ndërsa më 17 nëntor e mbyll ciklin me transfertën ndaj Irlandës.
Me një kalendar të ngjeshur dhe përballje sfiduese brenda pak javësh, kombëtarja e Kosovës do të synojë paraqitje sa më pozitive për të arritur objektivat në këtë edicion të Ligës së Kombeve.