Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, ka folur për Gazetën Express pas publikimit të informacioneve në mediumin “A2 news”, tekst i shkruar bazuar në dokumentin e publikuar nga hakerët, në të cilin thuhet se në vitin 2021 ishte planifikuar vrasja e kryeministrit Albin Kurti, Ismet Haxhës dhe Xhavit Halitit.
Sipas këtij raportimi, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë kishte marrë informacione për atentat ndaj tri figurave të përmendura më lartë.I kontaktuar nga Gazeta Express, deputeti Xhavit Haliti tha se ka pas paralajmërime nga policia për atentat ndaj tij, por thekson se situatat si kjo ai i ka “të rregullta”.
“Unë kam pas paralajmërime, më kanë lajmëru edhe policia. U kanë një kohë kur më kanë ruajt, unë i kam këto të përhershme që nga viti 85, i kam kështu të rregullta”, tha Haliti për Gazetën Express.
I pyetur nëse ka pas informacione nga policia në vitin 2021, ai tha: “Më kanë tregu që është diçka por skam pas (mbrojtje). Ndoshta në distancë e që se kam ditë”.
Por, Haliti tha se rreth tri vjet më parë ai është ruajtur për gjashtë muaj nga mbrojtja e afërt e policisë.
“Rreth 3 vjet më herët më kanë ruajt 6 muaj kam pas mbrojtje të afërt të policisë, shtëpi, punë, rrugë kudo që kam lëvizë”, tha Haliti për Gazetën Express.
I pyetur nëse është informuar rreth arsyes së mundshme rreth vrasjes së tij, ai tha “nuk e di, ata e dinë”.
Sipas informacione të Njësisë Kundër Terrorizmit, të publikuara nga A2, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje. Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti.
Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Kosovës.
Po ashtu, në dokument theksohet se të tre atentatet do të kryheshin në 4 muajt e ardhshëm.