Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, mori pjesë në tryezën me temë: “Nxjerrja e Akteve Nënligjore në përputhje me Statutin e Shoqatës së Prokurorëve”, e cila është organizuar nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
Siç bëhet e ditur në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, gjatë fjalës së tij, u.d. kryeprokurori Kelmendi, ka folur për rëndësinë e shoqatës së prokurorëve, në veçanti për aktet nënligjore që do të ndihmojnë në funksionalizimin sa më të mirë të kësaj shoqate. Gjithashtu, theksohet se Kelmendi shprehu gatishmërinë për të mbështetur shoqatën e prokurorëve në realizimin e objektivave të parashikuar me statutin e shoqatës.





