Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), mbështetur nga SMART Balkans, me rastin e publikimit të raportit të titulluar “Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe vlerësimi qytetar ndaj këtyre institucioneve”.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton se ky raport përmban të dhëna dhe analiza mbi mënyrën se si qytetarët e Republikës së Kosovës e vlerësojnë punën e institucioneve të drejtësisë, duke ofruar një pasqyrë të gjerë mbi performancën e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial në vend.
Sipas njoftimit, gjatë fjalës së tij, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit Kelmendi, ka paraqitur pikëpamjet e tij lidhur me raportin, duke theksuar se konstatimi i raportit sipas të cilit Prokuroria e Shtetit ka përfunduar 90% të rasteve penale të pranuara në punë, dëshmon më së miri për efikasitetin e këtij institucioni.
Në njoftim thuhet se u.d. kryeprokurori i Shtetit gjithashtu ka potencuar se pavarësia institucionale ka qenë dhe do të mbetet synimi kryesor i Prokurorit të Shtetit. Ai ka shtuar se për të pasur drejtësi më efikase, duhet të sigurohet numër i mjaftueshëm i prokurorëve në raport me vëllimin e lëndëve dhe kërkesat e gjykatave për pjesëmarrje në seanca gjyqësore.
Po ashtu, u.d. kryeprokurori Kelmendi ka nënvizuar se vlerësimi i performancës së prokurorëve gjatë viteve të fundit ka treguar se vetëm prokurorët me performancë të mirë mund të avancohen në karrierë, ndërsa ata me performancë të dobët nuk do të kenë vend në sistemin prokurorial, theksoi ai.
Në fund, u.d. kryeprokurori i Shtetit vlerësoi kontributin e organizatave të shoqërisë civile, të cilat përmes hulumtimeve dhe analizave të tyre ndihmojnë në përparimin e sundimit të ligjit dhe në rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë, thuhet në njoftimin e ZKPSh-së.