Me ftesë të kryeprokurorit të Republikës së Bullgarisë, Borislav Sarafov në bashkëpunim me kryeprokurorin e Republikës së Turqisë, Muhsin Şentürk, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, po merr pjesë në Forumin IV të kryeprokurorëve të Përgjithshëm të shteteve të Ballkanit, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë. Së bashku me u.d. së kryeprokurorit të Shtetit, në këtë forum po marrin pjesë edhe prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi dhe shefi i Kabinetit të u.d. kryeprokurorit të Shtetit, Ardian Nikolla.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në një komunikatë për media, bën të ditur se u.d. i kryeprokurorit të Shtetit ka mbajtur një fjalë rasti gjatë sesioneve të këtij forumi, ku ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në luftën kundër krimeve transnacionale. Ai, gjithashtu, ka vënë në dukje sfidat e krimeve me elemente ndërkombëtare, të cilat kërkojnë veprime të koordinuara dhe të vendosura, duke theksuar se asnjë shtet nuk mund t’i përballojë i vetëm këto kërcënime komplekse.
Kelmendi ka paraqitur arritjet e Prokurorisë Speciale të Kosovës në trajtimin e rasteve të krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe progresin institucional të Prokurorit të Shtetit në sekuestrimin e pasurive të paligjshme.





