LAJME

U.d. i kryeprokurorit të Shtetit kërkon efikasitet më të shtuar në trajtimin e rasteve të pasurive të konfiskuara

U.d. i kryeprokurorit të Shtetit kërkon efikasitet më të shtuar në trajtimin e rasteve të pasurive të konfiskuara
TV Prizreni
TV Prizreni
30 Korrik 2024, 17:25

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka kërkuar nga kryeprokurorët që të jenë më efikas në trajtimin e rasteve të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.

Në një komunikatë dërguar mediave, Kelmendi u tha se ka biseduar me kryeprokurorët e prokurive të vendit për rastet që kanë të bëjnë me pasuritë e sekuestruara apo të konfiskuara, që janë përdorur apo përfituar nga vepra penale.

Ky takim u mbajt edhe në prani të përfaqësuesve të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

“U.D. Kryeprokurori Kelmendi ka diskutuar për raportet e prokurorive të vendit lidhur me rezultatet e prokurorëve për rastet që kanë të bëjnë me pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara të cilat janë përdorur për kryerjen e veprave të ndryshme penale apo janë përfituar nga vepra penale, e të cilat gjenden në depon e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar (AAPSK)”, thuhet në komunikatë.

Për rastet e tilla, Kelmendi ka folur edhe për mundësinë e shitjes së automjeteve të sekuestruara dhe të konfiskuara “me qëllim të parandalimit të pasojave që mund t’i bëhen buxhetit”.

“Po ashtu në takim u diskutua edhe mundësia e pjesëmarrjes së prokurorëve të shtetit në trajnimet e Akademisë së Drejtës Evropiane (ERA), si dhe çështje të tjera profesionale”, thuhet tutje./KOHA/

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika