Presidenti Donald Trump ka nënshkruar dje një urdhër për të mbyllur “Zërin e Amerikës” (VOA), një media që financohet nga qeveria amerikane. Ky vendim ka shkaktuar reagime të forta nga gazetarë dhe ish-pjesëtarë të VOA, ndër ta edhe Elez Biberaj, gazetari shumëvjeçar dhe ish-drejtori i redaksisë shqipe në këtë medium, i cili ka shërbyer për më shumë se 43 vjet.
Biberaj ka theksuar se ky hap dëmton rëndë imazhin e SHBA-së dhe i mbyll një kanal të rëndësishëm informacioni që ka shërbyer si një burim dritë për miliona njerëz në mbarë botën. Ai e ka cilësuar këtë si një “kapitull të trishtë” në historinë e angazhimit të Amerikës me botën.
“Zëri i Amerikës, një fener shprese dhe i së vërtetës për qindra miliona njerëz në mbarë globin, u hesht sot në emër të reduktimit të burokracisë federale. Për më shumë se tetë dekada, VOA ka qenë një forcë jetike në promovimin e idealeve demokratike të Amerikës, duke prezantuar besnikërisht politikat e SHBA-së dhe duke shërbyer si një burim i besueshëm lajmesh për miliona në rajone të privuara nga informacioni,” ka thënë Biberaj.





