Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, ka hedhur kritika të ashpra ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke e cilësuar aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së si të padrejtë dhe të paracaktuar.
Në një intervistë për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Prosper tha se trupi gjykues, sipas tij, ka injoruar dëshmitë dhe materialet e paraqitura nga mbrojtja, ka rishkruar historinë e luftës së Kosovës dhe ka cenuar parimet e sundimit të ligjit.
Ai tha se mbrojtja kishte paraqitur informacione nga NATO, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Kombet e Bashkuara, të cilat, sipas tij, dëshmonin se nuk kishte një strukturë efektive komandimi dhe kontrolli brenda UÇK-së.
“Ky ishte një vendim i pandershëm. Është një situatë që është larg nga e vërteta, rishkruan historinë dhe përveç kësaj, e fshinë historinë”, tha Prosper.
Sipas tij, gjyqtarët kanë injoruar dëshmitarët e mbrojtjes, kundërpyetjet dhe prova që ai i cilësoi si kredibile.
“Ne kishim informacion kredibil, të besueshëm nga i gjithë aparati i inteligjencës i NATO-s, shteteve anëtare të NATO-s dhe vendeve të tjera që e bënë të qartë se nuk kishte organizim dhe kontroll, s’kishte komandë dhe kontroll të UÇK-së”, tha ai.
Prosper përmendi edhe një letër të Departamentit amerikan të Shtetit të vitit 1999, të dërguar në Senat, për të cilën tha se theksonte mungesën e komandës efektive dhe kontrollit të UÇK-së.
Avokati tha se dyshimet e tij për përfshirje politike në proces mbeten.
“Po, përgjigjja është po”, tha Prosper, duke shtuar se motivin për një vendim të tillë, sipas tij, e dinë vetëm tre gjyqtarët që e morën atë.
Ai tha gjithashtu se vendimi dukej “i shkruar paraprakisht” dhe se gjatë procesit mbrojtjes i ishin vendosur pengesa në përpjekjet për të paraqitur atë që e konsideronte të vërtetën.