Në nisje të punimeve të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Zyra e Kryeministrit bën të ditur se Kurti e falënderoi presidentin Erdoğan për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë gjithë etapave të ndërtimit të shtetit të Kosovës, zhvillimit të tij, në diplomaci sikurse edhe për fuqizimin ushtarak të vendit, bashkëpunimin në vënien e themeleve të industrisë së mbrojtjes dhe përkrahjen për anëtarësimin në NATO.
Po ashtu, thuhet se ai shprehu mirënjohje për rolin shumëvjeçar të Turqisë në KFOR dhe për kontributin e rëndësishëm që ajo vazhdon të ketë për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, duke theksuar profesionalizmin e gjeneralmajor, Özkan Ulutaş, gjatë dy mandateve të tij si komandant i forcës së NATO-s në Kosovë.
“Kosova dhe Turqia kanë vazhduar forcimin dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare me ç’rast ato arrijnë në vlerën prej 1 miliard dollarësh, me synimin që të rriten më shumë në të ardhmen. Po ashtu, janë rritur edhe investimet në Kosovë ku së fundmi kemi nisjen e fabrikës së re të municionit në Gjakovë dhe Parkun e Energjisë së Erës në Rahovec, që janë në bashkëpunim me kompani nga Turqia.” – shkruan ZKM.
Sipas njoftimit, në takim kryeministri Kurti diskutoi edhe për aktgjykimin e padrejtë juridikisht dhe moralisht, dhe të pasaktë historikisht dhe faktikisht sipas tij, të shpallur javën e kaluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, e që thekson se patjetër duhet të korrigjohet në Apel.
Siç bëhet e ditur tutje, çështje tjetër, të cilën e ngritën kryeministri Albin Kurti bashkë me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, ishte diskriminimi i vazhdueshëm dhe sistematik i shtetit të Serbisë ndaj komunitetit shqiptar atje, nga pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave e nënpërfaqësimi në secilin institucion shtetëror atje, sipas tyre. Kryeministri thekoi se simetria e të drejtave të komuniteteve në vendet përkatëse është qasja dhe mënyra e domosdoshme për trajtim të drejtë dhe barabartë.
“Kosova dhe Turqia do të vazhdojnë të thellojnë marrëdhëniet miqësore, sikurse do të rrisin e forcojnë edhe relacionet ekonomike e tregtare. Në përfundim të takimit, kryeministri Kurti e ftoi presidentin Erdoğan për një vizitë në Republikën e Kosovës.” – thuhet në njoftim.