Më 15 shtator 2026, pas më shumë se katër dekadash në shërbim të arsimit, mësimdhënësi dhe ish-drejtori i SHFMU “Dëshmorët e Zhurit”, Ismen Ajazaj, ka përmbyllur karrierën e tij profesionale dhe ka dalë në pension.
Me këtë rast, SHFMU “Dëshmorët e Zhurit” ka përcjellë një urim për mësuesin Ajazaj, duke i dëshiruar shëndet, lumturi dhe ditë të bukura në kapitullin e ri të jetës.
“Pas shumë vitesh punë sot pensionohet mësuesi Ismen Ajazaj, ju urojmë shëndet, lumturi dhe ditë të bukura në këtë kapitull të ri të jetës!”, thuhet në njoftimin e shkollës.
Në fjalët e tij përmbyllëse, Ajazaj e ka përshkruar këtë moment si fundin e një kapitulli të rëndësishëm të jetës së tij profesionale, por jo edhe të lidhjes së tij me shkollën dhe komunitetin.
“Kur e nisa këtë profesion në vitin 1985, nuk e dija se sa e gjatë do të ishte kjo rrugë. Sot, pas më shumë se katër dekadash, mund të them me bindje: Ishte një rrugë e gjatë, por ishte rruga ime”, ka shkruar ai.
Një jetë në shërbim të arsimit
Rrugëtimi i Ismen Ajazajt në arsim nisi në vitin 1985 në Kushnin e Hasit, ku punoi si mësimdhënës klasor për pesë vjet. Në vitin 1990 vazhdoi punën në Dobrusht, ndërsa në vitin 1994 iu bashkua SHFMU “Dëshmorët e Zhurit” në Zhur, shkollë me të cilën do ta lidhte pjesën më të madhe të karrierës së tij.
Nga viti 1996 mori përgjegjësi drejtuese, fillimisht si zëvendësdrejtor e më pas si drejtor i shkollës, detyrë të cilën e ushtroi për rreth dy dekada.
Gjatë karrierës së tij, Ajazaj ka qenë pjesë e rrugëtimit arsimor të shumë gjeneratave të nxënësve, ndërsa krahas punës në shkollë, gjatë viteve 1992–2000 ishte i angazhuar edhe në Shoqatën “Nënë Tereza”, në veprimtari shoqërore dhe humanitare.
Në rrëfimin e tij, ai ka përmendur edhe një periudhë të vështirë të jetës personale, atë të burgimit politik, të cilën e konsideron pjesë të pandashme të historisë së tij. Pavarësisht sprovave, ai vijoi punën në arsim dhe angazhimin në komunitet.
Gjatë viteve të punës, sipas rrëfimit të tij, ka kontribuar edhe në përmirësimin e kushteve të shkollës, përfshirë fushën e sportit, kabinetin e informatikës dhe hapësirat shkollore.
Në ditën e pensionimit, Ajazaj ka shprehur mirënjohje për nxënësit, kolegët, prindërit, komunitetin dhe familjen, duke veçuar nxënësit si “arsyen kryesore të ekzistencës së çdo dite pune”.
“Arsimi, puna dhe përkushtimi ndaj komunitetit kanë qenë pjesë e pandarë e jetës sime profesionale dhe njerëzore”, ka shkruar ai.
Me përmbylljen e këtij kapitulli, pas 41 vitesh e tetë muajsh në arsim, Ismen Ajazaj lë pas një karrierë të gjatë të lidhur me mësimdhënien, drejtimin e shkollës dhe shërbimin ndaj komunitetit.
“Me mirënjohje dhe respekt për të gjithë ata që ishin pjesë e këtij rrugëtimi, po e mbyll këtë kapitull me zemër të qetë dhe me shumë kujtime të bukura”, ka përfunduar ai.