Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, më 21 shtator 2026, u zhvillua provimi pranues për kandidatët që kanë aplikuar në programet e studimeve Master, për vitin akademik 2026/2027.
Sipas njoftimit të Universitetit, procesi i provimit u zhvillua në orën 16:00, në përputhje me orarin dhe procedurat e përcaktuara, me pjesëmarrjen e kandidatëve në programet Master të disa njësive akademike të Universitetit.
Gjatë zhvillimit të provimit, rektori Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, së bashku me bashkëpunëtorët, vizitoi hapësirat ku po zhvillohej provimi dhe uroi kandidatët për një proces të mbarë dhe të suksesshëm.
Rektori Alishani theksoi rëndësinë e vazhdimit të arsimit dhe zhvillimit profesional, duke u shprehur:
“Çdo hap drejt dijes është një investim në të ardhmen. Ju uroj që kjo ditë të jetë fillimi i një kapitulli të ri dhe të suksesshëm në rrugëtimin tuaj akademik. Ju dëshiroj shumë suksese dhe ju mirëpresim me kënaqësi në Universitetin tonë.”
Provimi u mbajt për kandidatët e programeve Administrim Biznesi, Shkenca Kompjuterike dhe Teknologji Komunikimi, Menaxhim në Agrobiznes, Shkencat Pyjore dhe Ekologji Pyjore, Qeverisje Demokratike dhe Sundim i Ligjit, Legjislacioni dhe Institucionet e Bashkimit Evropian, Shkencat e Edukimit, Edukim dhe Mësimdhënie në Matematikë në Gjuhën Turke dhe Gjuhësi Aplikative.
Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren u ka uruar të gjithë kandidatëve suksese dhe rezultate të mira, duke i falënderuar për besimin dhe interesimin e treguar për programet e studimeve Master.