LAJME

Ambasadorja e Suedisë viziton shkollën “Gani Saramati” në Prizren, prezantohet vizioni për shkollë të gjelbër deri në vitin 2030

Ambasadorja e Suedisë viziton shkollën “Gani Saramati” në Prizren, prezantohet vizioni për shkollë të gjelbër deri në vitin 2030
TV Prizreni
TV Prizreni
19 Nëntor 2026, 21:54

Shkolla e Mesme e Ulët “Gani Saramati” në Prizren ka mirëpritur të enjten në një vizitë zyrtare ambasadoren e Suedisë në Kosovë, znj. Åsa Pehrson, e shoqëruar nga ekipi i saj dhe drejtues të organizatës joqeveritare EC Ma Ndryshe.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e shkollës prezantuan vizionin dhe objektivat strategjike për shndërrimin e shkollës “Gani Saramati” në një Shkollë të Gjelbër deri në vitin 2030. Ky synim pasqyron përkushtimin për mbrojtjen e mjedisit, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe krijimin e një kulture të përgjegjësisë ekologjike në mesin e nxënësve dhe komunitetit shkollor.

Në kuadër të takimit u diskutua për rëndësinë e integrimit të edukimit mjedisor në procesin mësimor, fuqizimin e iniciativave të gjelbra dhe përfshirjen aktive të nxënësve në veprime konkrete për mbrojtjen e mjedisit.

Drejtoresha e shkollës, Adelina Beqiri-Minçi, u shpreh se ky vizion nuk përfaqëson vetëm një objektiv institucional, por një angazhim afatgjatë për ndërtimin e një mjedisi më të shëndetshëm shkollor dhe edukimin e gjeneratave të përgjegjshme ndaj natyrës dhe sfidave mjedisore.

Ndërkaq, vizita e ambasadores Pehrson përbën një mundësi për prezantimin e këtij vizioni dhe shkëmbimin e ideve mbi praktikat e qëndrueshme në arsim.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika