LAJME

OVL-UÇK paralajmëron protesta gjithëpopullore nëse zvarritet ndryshimi i Ligjit për Specialen

OVL-UÇK paralajmëron protesta gjithëpopullore nëse zvarritet ndryshimi i Ligjit për Specialen
TV Prizreni
TV Prizreni
19 Nëntor 2026, 18:56

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka paralajmëruar organizimin e protestave gjithëpopullore në rast se nuk miratohen së shpejti plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Përmes një reagimi publik, kjo organizatë i ka bërë thirrje Qeverisë dhe shumicës parlamentare që të veprojnë dhe të mos lejojnë zvarritjen e këtij procesi.

“Qeveria dhe shumica parlamentare duhet ta kenë të qartë se përgjegjësia e tyre është të veprojnë dhe të mos lejojnë që vonesat të bëhen pengesë për përfundimin e këtij procesi. Po ashtu, OVL e UÇK-së rithekson se është e papranueshme dhe e pandershme që një çështje kaq e ndjeshme të shfrytëzohet për të krijuar ndasi politike apo për të thelluar përçarjet mes subjekteve politike”, thuhet në reagim.

OVL e UÇK-së ka kërkuar që ndryshimet ligjore të miratohen me procedurë të përshpejtuar, brenda afatit më të shkurtër që lejojnë procedurat parlamentare dhe institucionale.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kërkon që plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratohen me procedurë të përshpejtuar, brenda afatit më të shkurtër që lejojnë procedurat parlamentare dhe institucionale”, thuhet më tej në reagim.

Organizata ka bërë të ditur se, nëse pavarësisht deklarimeve për vullnet politik procesi vazhdon të zvarritet dhe nuk përmbyllet së shpejti, do të kundërshtojë këtë qasje përmes organizimit të protestave gjithëpopullore.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti dhe PDK-ja janë pajtuar për një nismë të re të enjten, në ditën kur votimi për ndryshimet e propozuara më herët u shty për herë të dytë.

Ndryshimet e miratuara në tetor ishin kthyer në Kuvend për rishqyrtim nga presidentja Justina Shiroka-Pula, me kërkesë të vetë iniciueses, PDK-së.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika