Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar një muaj paraburgim ndaj tre personave, me inicialet S.Sh., J.Sh. dhe E.Sh., të dyshuar për lëndim të lehtë trupor dhe asgjësim apo dëmtim të pasurisë.
Sipas vendimit të Gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë së Shtetit dhe mund të zgjasë deri më 17 dhjetor 2026.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 17 nëntor, rreth orës 15:40, në fshatin turistik Prevallë të Komunës së Prizrenit. Sipas dyshimeve të paraqitura nga Prokuroria, tre të pandehurit, duke vepruar në bashkëkryerje, kanë sulmuar fizikisht tre familjarë të tyre: B.Sh., F.B. dhe një të mitur, D.B.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, incidenti dyshohet se ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve dhe xhelozisë së vazhdueshme familjare, të lidhura me konkurrencën në biznesin që palët ushtrojnë prej vitesh.
Të dyshuarit, pasi e kanë parë B.Sh. duke biseduar me një kushëri, dyshohet se kanë dalë nga automjeti dhe e kanë sulmuar atë me grushte në fytyrë dhe pjesë të ndryshme të trupit. Kur në përpjekje për ta ndalur sulmin kanë ndërhyrë F.B. dhe i mituri D.B., ata dyshohet se janë goditur gjithashtu nga të pandehurit.
Si pasojë e sulmit, të tre të dëmtuarit kanë marrë trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit “Daut Mustafa”, ndërsa lëndimet janë evidentuar në raportet përkatëse mjekësore.
Përveç sulmit fizik, të pandehurit dyshohet se kanë dëmtuar edhe telefonin mobil të të miturit D.B., pasi kanë vërejtur se ai po e incizonte ngjarjen. Sipas Prokurorisë, dëmtimi i telefonit i ka shkaktuar viktimës edhe dëm material.
Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprave penale dhe se paraburgimi është i nevojshëm për të siguruar praninë e të pandehurve gjatë procedurës penale, si dhe për të mundësuar zhvillimin e papenguar të hetimeve.
Në arsyetimin e vendimit, Gjykata ka marrë parasysh edhe rrethanat e dyshuara të incidentit, përfshirë faktin se viktimat janë familjarë të të pandehurve dhe se në mesin e tyre ndodhet edhe një i mitur.
Gjithashtu, Gjykata ka theksuar se njëri nga të pandehurit, S.Sh., rezulton të jetë i dënuar me dy aktgjykime të formës së prerë për vepra penale të natyrës së ngjashme. Sipas vlerësimit të gjykatës, ekziston rreziku që, nëse lihen në liri, të pandehurit të përsërisin vepra penale ose të kryejnë vepra edhe më të rënda.
Gjykata ka vlerësuar se masat alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për të parandaluar rrezikun e arratisjes, ndikimin e mundshëm te të dëmtuarit apo përsëritjen e veprave penale.
Tre të pandehurit dyshohen për veprat penale të lëndimit të lehtë trupor dhe asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë. Procedura penale ndaj tyre do të vazhdojë në fazën hetimore.