LAJME

Kurti për “Lojërat Mesdhetare 2030”: Do ta bëjmë më të mirën por me çdo kusht pa korrupsion

Kurti për “Lojërat Mesdhetare 2030”: Do ta bëjmë më të mirën por me çdo kusht pa korrupsion
TV Prizreni
TV Prizreni
19 Nëntor 2026, 14:34

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se janë duke i bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare, duke shtuar se kanë mbajtur edhe një mbledhje të Këshillit Organizativ.

Ai ka thënë se mungesa e unitetit të brendshëm po e rrezikon organizimin e Lojërave Mesdhetare.

Kurti ka deklaruar se komunikimin me Komitetin Olimpik e kanë shumë të mirë, por jo edhe Komunën e Prishtinës.

“Aty jemi bashkë. Është për të ardhur keq se, kur po përfundojnë mbledhjet dhe diskutimet shteruese që po mbahen aty, më pas po dalin në publik se kush si votoi, me sulme të brendshme. Ne duhet të jemi unikë për këtë gjë dhe kjo mungesë e unitetit të brendshëm na ka sjellë në këtë pikë, ku edhe po rrezikohet organizimi i Lojërave Mesdhetare”, ka thënë ai.

Kurti ka deklaruar se vazhdon të jetë optimist se Lojërat Mesdhetare të mbahen, porse ka theksuar se është optimist i përmbajtur. Kjo pasi sipas tij, “kush bën mirë nuk e ka të lehtë të shtyhet me dikë që bën të kundërtën”.

Tutje ka thënë se do ta bëjnë më të mirën, por pa korrupsion.

“Vazhdoj të jem optimist, por optimist i përmbajtur, sepse kush bën mirë nuk e ka të lehtë të shtyhet me dikë që bën të kundërtën. Në këtë aspekt, bashkëpunimi me Komitetin Olimpik të Kosovës ka qenë i mirë, por kjo nuk mund të thuhet edhe për Komunën e Prishtinës, prandaj jemi në këtë situatë. Do ta bëjmë më të mirën e mundshme, por do ta bëjmë me çdo kusht pa korrupsion. Duhet theksuar se vonesat kryesore i kemi për shkak se Ligji për Lojërat Mesdhetare ka qëndruar tepër gjatë në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo na e ka bllokuar ecjen përpara”, ka thënë Kurti./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika