LAJME

Lëshohen patentë-shoferët e parë profesionalë në Republikën e Kosovës

Lëshohen patentë-shoferët e parë profesionalë në Republikën e Kosovës
TV Prizreni
TV Prizreni
19 Nëntor 2026, 13:33

Në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) të Ministrisë së Punëve të Brendshme u mbajt një ceremoni solemne, me ç’rast u bë shpërndarja e patentë-shoferëve të parë profesionalë.

Në këtë aktivitet morën pjesë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Zef Morina, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Jetmir Haziri, si dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve përkatëse.

Me këtë rast, zëvendësministri Dugolli theksoi se me aktin e sotëm solemn po përmbushet edhe një kriter i rëndësishëm i zotimeve tona për avancimin e shërbimeve. Ai tha se lëshimi i patentë-shoferëve profesionalë shënon një hap të rëndësishëm edhe në përmirësimin e procedurave administrative, duke u mundësuar qytetarëve që të certifikohen si drejtues profesionalë.

“Ky proces është rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes Agjencisë së Regjistrimit Civil, dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, me synim ofrimin e shërbimeve më efikase dhe lehtësimin e procedurave për qytetarët.” – thuhet në njoftimin e MPB-së.

Sipas njoftimit, me lëshimin e këtij dokumenti të nevojshëm për qarkullimin rrugor, krahas patentë-shoferëve të rregullt dhe atyre ndërkombëtar, arrihet të përmbushet edhe një standard profesional ndërkombëtar në këtë fushë.

“Të gjithë qytetarët që dëshirojnë të pajisen me patentë-shoferë profesionalë duhet të bëjnë aplikimet përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, ndërsa pas përfundimit të të gjitha procedurave, patentë-shoferi profesional personalizohet përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme.” – njofton Ministria.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika