Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se vizita e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, te bashkëshortja e tij, gjendja shëndetësore e së cilës është e rënduar, rikujton pasojat njerëzore të proceseve gjyqësore dhe ndarjen e familjeve për vite me radhë.
Në seancën e Kuvendit, Nagavci tha se takimi familjar i Krasniqit, pas gjashtë vjetësh në Hagë, u zhvillua nën masa të rrepta sigurie dhe me kohë të kufizuar nga Gjykata Speciale.
“Pas 6 vjetësh në Hagë, ai u kthye për të takuar bashkëshorten e tij, gjendja shëndetësore, e së cilës është e rënduar. Ky takim familjar u zhvillua në masat e rrepta sigurie, nën mbikëqyrje dhe me kohë të kufizuar nga gjykata speciale. Ato pamje, përveç të tjerash, na kujtuan se pas çdo procesi gjyqësor ka njerëz, ka familje që presin, që shtyjnë ditët pa të dashurit e tyre dhe që përballen çdo ditë me mungesën e tyre. Ka vite që nuk kthehen dhe momente familjare që nuk mund të rikuperohen”, tha ajo.
Nagavci theksoi se vendimet politike kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe në historinë e vendit, duke përmendur kontributin e Krasniqit në periudha të ndryshme të historisë së Kosovës.
“Por ato pamje duhet të na kujtojnë edhe diçka tjetër: vendimet politike nuk mbetën në dokumente. Në procesverbale apo në tabelat e votimit, ato dalin nga kjo sallë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve, në të kaluarën dhe në të ardhmen e vendit, në historinë e kombit. Jakup Krasniqi, siç është një nga figurat e rëndësishme të historisë politike të Kosovës, ai ishte pjesë e rezistencës kundër regjimit serb, përjetoi burgjet e tij dhe gjatë luftës shërbeu si zëdhënës i ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Pas çlirimit, vazhdoi angazhimin në ndërtimin e institucioneve të vendit, duke shërbyer si deputet dhe kryetar i këtij Kuvendi. Ky është rrugëtimi i një njeriu që ka qenë pjesë e periudhave vendimtare të historisë sonë”, tha ajo./EO