Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u ka bërë thirrje Iranit dhe Izraelit që të arrijnë një marrëveshje paqeje, ndërsa në mesazhin e tij ka përmendur edhe rastin e Kosovës dhe Serbisë si shembull të suksesit të tij në diplomaci.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump ka deklaruar se gjatë mandatit të tij të parë kishte ndalur një konflikt të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë, që sipas tij ishte “gati të shpërthente në luftë”.
“Irani dhe Izraeli duhet ta bëjnë një marrëveshje, dhe do ta bëjnë një marrëveshje, ashtu siç e bëra unë Indinë dhe Pakistanin të arrijnë një marrëveshje… Gjithashtu, gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin duke e përshkallëzuar situatën me intensitet… dhe ky konflikt i vjetër ishte gati të shpërthente në luftë. Unë e ndala. Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime të këqija, por unë do ta rregulloj përsëri”, shkroi Trump.





