Këshilli Drejtues i Shoqatës së Transportuesve Rrugorë ka vendosur që nga data 17 mars të zhvillojë protesta, duke bërë kështu që nga kjo datë të mos zhvillohet asnjë lloj i transportit publik në Kosovë.
Kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj tha në një konferencë për media pas mbajtjes së mbledhjes së Këshillit Drejtues se u vjen keq për qytetarët mirëpo ky sektor është shumë i dëmtuar nga siç ka thënë, vendimet e gabuara të Qeverisë në lidhje me pandeminë me COVID-19.
“Ju kërkojmë falje që nga data 17 mars Shoqata e Transportit Rrugor sapo mori vendimin për të hyrë në protestë për shkak të mospërbushjes së premtimit dhe marrëveshjes së nënshkruar nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Shoqatës së Transportit Rrugor. Jemi i vetmi sektor në Kosovë që kemi përjetuar humbjet më të mëdha në aspektin ekonomik për shkak të keqmenaxhimit nga Qeveria me COVID-19 prandaj si rezultat i vendimeve të gabuara ne është dashur që për 13 muaj ta ndërprejmë punën, pas fillimit të punës më 1 qershor prapë ne jemi atakuar duke mos na lejuar që të shfrytëzojmë 100 për qind kapacitetin e autobusit në ulëse por shfrytëzojmë vetëm 50 për qind”, ka thënë Kurtishaj.





