LAJME

Totaj: ‘Luanët e tastierës’ po helmojnë debatin publik, sharjet në rrjete sociale nuk kanë qenë traditë e jona

Totaj: ‘Luanët e tastierës’ po helmojnë debatin publik, sharjet në rrjete sociale nuk kanë qenë traditë e jona
TV Prizreni
TV Prizreni
20 Korrik 2026, 11:09

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka reaguar ndaj fenomenit të sharjeve, ofendimeve dhe profileve anonime në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë dukuri si një nga format më të dëmshme të komunikimit publik dhe një kërcënim për reputacionin e qytetarëve.

Përmes një shkrimi reflektues, Totaj thotë se personat që fshihen pas profileve me pseudonime ose emra të rremë shfrytëzojnë anonimitetin për të shpërndarë fyerje, shpifje dhe histori të pavërteta.

Ai i përshkruan këta përdorues si “luanë të tastierës”, duke vlerësuar se guximi i tyre ekziston vetëm pas ekranit, ndërsa në jetën e përditshme nuk do të kishin të njëjtën sjellje.

Sipas kryetarit të Prizrenit, profilet anonime shpesh përdorin fotografi të huaja dhe identitete të rreme për të fshehur autorësinë e komenteve fyese, ndërsa pasojat e këtyre sulmeve bien mbi njerëz të pafajshëm.

Totaj thekson se viktimat e shpifjeve dhe ofendimeve përballen me ankth, stres dhe izolim, ndërsa dëmtimi i reputacionit personal e profesional mund të jetë i madh, pasi informacionet e rreme përhapen me shpejtësi në rrjetet sociale.

Duke folur për arsyet që, sipas tij, nxisin këtë sjellje, ai shprehet se zilia dhe mungesa e vëmendjes i shtyjnë disa individë të sulmojnë të tjerët në vend që të kontribuojnë pozitivisht në shoqëri.

Në fund të reagimit të tij, Totaj deklaron se kjo kulturë e komunikimit nuk ka qenë asnjëherë traditë kombëtare apo politike në Kosovë, duke shtuar se, sipas tij, ajo është “dhuratë nga pushtetarët aktualë”. Ai gjithashtu vlerëson se qytetarët mbeten pothuajse të pambrojtur përballë këtij fenomeni.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika