PRIZRENI ME RAJON

Totaj kritikon Qeverinë Kurti për raportet me komunat: Pushteti qendror frenues i zhvillimit lokal         

Totaj kritikon Qeverinë Kurti për raportet me komunat: Pushteti qendror frenues i zhvillimit lokal         
TV Prizreni
TV Prizreni
19 Nëntor 2026, 22:03

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për mënyrën e trajtimit të komunave, duke e cilësuar raportin ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal si një paradoks politik dhe institucional.

Përmes një reagimi në facebook, të titulluar “Paradokset e Qeverisë Kurti dhe VV-së”, Totaj thotë se komunat po përballen me centralizim të tepruar dhe pengesa buxhetore e administrative nga niveli qendror.

Sipas tij, përmes ministrive të linjës janë krijuar pengesa për realizimin e projekteve kapitale në komuna, duke përmendur vonesat në transferimin e mjeteve vetanake, zvarritjen e procedurave të prokurimit dhe mungesën e bashkëpunimit ndërinstitucional.

“ Kjo qasje nuk dëmton kryetarët e komunave si individë politikë, por bllokon drejtpërdrejt rrugët, shkollat, çerdhet dhe shërbimet bazike që prekin jetën e përditshme të qytetarëve”, ka shkruar Totaj.

Ai ka kritikuar edhe atë që e konsideron si kundërthënie në qëndrimet e nivelit qendror, duke thënë se komunat fillimisht përballen me pengesa në realizimin e projekteve, ndërsa më pas kritikohen për mungesë pune, paaftësi menaxheriale dhe mosrealizim të investimeve.

Në shkrimin e tij, Totaj ka kundërshtuar edhe ndarjen ndërmjet mirëqenies së qytetarëve në nivel shtetëror dhe asaj në nivel komunal.

“Një qytetar i Kosovës nuk jeton në abstraksion; ai jeton në një rrugë të caktuar, në një lagje të caktuar dhe në një komunë të caktuar”, ka theksuar ai, duke shtuar se mirëqenia e qytetarëve duhet të vlerësohet edhe përmes cilësisë së shërbimeve publike, arsimit, infrastrukturës dhe shërbimeve shëndetësore.

“Shteti përbëhet nga komunat e tij. Kur qeveria qendrore i lufton dhe i dobëson komunat, ajo në fakt po varfëron dhe po vështirëson jetën e vetë qytetarit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar më tej Totaj.

Në fund të shkrimit, kryetari i Prizrenit ka përmendur edhe qëndrimet e përfaqësuesve të Qeverisë, të cilët, sipas tij, i kundërshtojnë këto kritika me argumentin se komunat kanë pasur buxhete rekord në vitet e fundit dhe se vonesat në realizimin e projekteve lidhen me keqmenaxhimin në nivel lokal. Ai ka përfshirë gjithashtu argumentin e Qeverisë për bartjen ligjore të mjeteve të pashpenzuara dhe ndikimin e politikave qendrore në mirëqenien e qytetarëve.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika