Gazetari shumëvjeçar i lindur në Prizren, Arben Ahmeti, i cili para disa muajsh është zgjedhur Drejtor i Përgjithshëm i KF Liria, ka vlerësuar angazhimin, punën e përbashkët dhe rezultatet e arritura gjatë periudhës së tij në krye të klubit. Ai thotë se këtë pozitë nuk e ka parë vetëm si detyrë, por si përgjegjësi ndaj një klubi që përfaqëson historinë, identitetin dhe krenarinë e Prizrenit. Në një shkrim në facebook, Ahmeti ka theksuar se gjatë muajve të fundit është punuar në krijimin e një ambienti kredibil, me frymë të mirë bashkëpunimi, besim të ndërsjellë dhe rezultate pozitive, duke shtuar se synimet e klubit janë shumë më të mëdha se sukseset e deritanishme.
“E gjithë kjo është dëshmi se kur ka vullnet, përkushtim, punë dhe dashuri për klubin, rezultatet nuk mungojnë”, ka shkruar Ahmeti, duke vlerësuar angazhimin e tij dhe bashkëpunëtorëve në klub.
Ai ka bërë të ditur se e diela do të sjellë një moment të veçantë për Prizrenin, pasi për herë të parë në historinë e qytetit, një ndeshje futbolli do të zhvillohet në mbrëmje, nën dritën e reflektorëve të stadiumit. Në këtë mbrëmje, Liria pritet të festojë edhe shpalljen kampione vjeshtore.





