LAJME

Tahiri: Qytetarët po paguajnë më shtrenjtë energjinë, Kuvendi s’duhet të bëhet spektakël

Tahiri: Qytetarët po paguajnë më shtrenjtë energjinë, Kuvendi s’duhet të bëhet spektakël
TV Prizreni
TV Prizreni
21 Prill 2026, 10:30

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, pas deklarimeit të deputetes së LVV-së, Rozeta Hajdari, ka theksuar se çështja e energjisë elektrike kërkon përgjegjësi dhe trajtim serioz institucional.

Gjatë seancës së thirrur për të diskutuar çmimet e energjisë, Tahiri tha se vendi ka nevojë për punë me ndershmëri dhe etikë, e jo për, siç u shpreh ai, “skandale me rezerva shtetërore dhe probleme të vazhdueshme me energjinë elektrike”.

“Është mirë të punohet me ndershmëri, me përgjegjësi dhe etikë, jo të kemi skandale dhe probleme të vazhdueshme. Nuk e di pse po ju dhemb kjo çështje,” deklaroi Tahiri.

Ai shtoi se qytetarët e Kosovës po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve të energjisë.

“Realiteti është se qytetarët e Kosovës çdo muaj e paguajnë energjinë më shtrenjtë se muajt dhe vitet paraprake. Kjo është e keqe, është turp dhe tregon mungesë përgjegjësie, etike dhe korrektësie,” u shpreh ai.

Tahiri kritikoi edhe funksionimin e Kuvendit, duke thënë se debatet shpesh po përdoren për përfitime politike.

“Kohët e fundit është bërë trend që të mblidhemi më shumë për të ofruar spektakël dhe për të fituar poena politikë, sesa për të qenë zëri i qytetarëve,” tha ai.

Sipas tij, diskutimi për çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike është çështje që prek çdo qytetar.

“Sot po diskutojmë për një temë që prek çdo familje, çdo punëtor, çdo student dhe çdo biznes, të vogël e të madh. Çmimi i lartë dhe faturimi i padrejtë i energjisë elektrike është çështje sociale, ekonomike dhe morale,” përfundoi Tahiri./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika