​Tahiri: Duhet të realizohet bashkimi kombëtar, hyrja në Këshillin e Evropës e NATO

LAJMEMë pak se 2 min. për lexim
TV Prizreni
Botuar nga: TV Prizreni|41 minuta
​Tahiri: Duhet të realizohet bashkimi kombëtar, hyrja në Këshillin e Evropës e NATO

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 18 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, tha se asnjëherë nuk duhet harruar se vlera më e madhe historike e vendit është lufta e UÇK-së që solli lirinë, shpallja e pavarësisë më 2008.

Ajo që duhet realizuar sipas Tahirit, bashkimi kombëtar, pranimi në Këshillin e Evropës, në NATO që njëherë e përgjithmonë Kosova ta përmbyllë një cikël të rëndësishëm të popullit të saj.

“Një popull që ende po sfidohet pse luftoi për lirinë e vet, duke u përballur me gjykime të padrejta, janë katër emra që janë simbol i lirisë, të cilët padrejtësisht janë duke u ballafaquar me një proces me të cilin jemi pa asnjë dyshim që do të shpallen të pafajshëm, për shkak se besojmë në luftën tonë të drejtë për liri dhe në drejtësi ndërkombëtare. Kurrë nuk duhet me harrua se vlera më e madhe historike është vet ajo, lufta e UÇK-së e cila solli lirinë, shpallja dhe njohja e pavarësisë së Kosovës, e ajo që duhet realizuar është konsolidimi i plotë i shtetit tonë në organizmat ndërkombëtarë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, në këshillin e Evropës, në NATO, që njëherë e përgjithmonë Kosova ta përmbyllë një cikël të rëndësishëm të popullit”, tha Tahiri.

Tahiri iu drejtua gjeneratave të reja me një mesazh, që të kuptojnë se liria dhe shtetësia ka ardhur me një sakrificë të madhe, e humbje të mëdha, raporton kp.

“Sot kur po shënojmë ditëlindjen e 18-të, dua të ju drejtohem gjeneratave të reja, dua tu flas veçanërisht atyre vajzave e djemve, që këtë kohë mund të mos ta kenë në përkujtimin e jetës së tyre, shpeshherë një pjesë e madhe e tyre lirinë që e gëzojmë sot po e marrin si të mirëqenë, po mendojnë që është dashtë me qenë të lirë, jo nuk është dashtë. Liria dhe shtetësia duhen ta dinë secili ato kanë ardhur me një sakrificë të madhe, me një humbje të mëdha dhe me qëndresë të palëkundur të gjeneratave të këtij vendi e kombi”, tha Tahiri.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika