LAJME

Sveçla: Huliganët serbë ishin në dijeni për targetet e Policisë në aksionin në veri

Sveçla: Huliganët serbë ishin në dijeni për targetet e Policisë në aksionin në veri
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Tetor 2021, 20:58

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ka pasur rrjedhje të informacioneve në aksionin e fundit të Policisë së Kosovës në disa zona të Kosovës, përfshirë këtu edhe veriun, për ta luftuar krimin e organizuar dhe kontrabandën.

Sveçla ka thënë në “Java Sonte me Rronin” të KTV-së se në bazë të analizave që ekspertët e Policisë u kanë bërë huliganëve serbë, është vërejtur se ata kanë qenë në dijeni për targetet e Policisë dhe madje edhe kanë tërhequr një sasi të mallrave, pak para operacionit.

“Është e vërtetë ka dyshime të para që operacioni është dekonspiruar nga rrjedhja e informacioneve. Kjo bazohet në analizën që ekspertët e policisë i kanë bërë sjelljes së huliganëve serbë të cilët pak a shumë i kanë ditur targetet në të cilat Policia e Kosovës është fokusuar si dhe tek sasia e mallrave të cilat pak para operacionit kanë ndërruar destinacion”, ka thënë Sveçla.

Ai ka shtuar se pavarësisht kësaj, operacioni ishte i suksesshëm, sepse siç ka thënë, organizimi i tyre ishte shumë më i mirë se i serbëve kundër tij.

“Operacioni ishte plotësisht i suksesshëm sepse organizimi ynë ishte larg më i mirë se i tyre për të tërhequr mallrat apo për të pamundësuar veprimet e Policisë”, është shprehur Sveçla.

Ministri Sveçla ka thënë se qëllimi i Policisë ka qenë që ta kryejë aksionin duke përdorur minimumin e forcës së përdorshme.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika