Në Suharekë është mbajtur Kampionati i Kosovës në Shigjetari “Outdoor 2026”, i organizuar nga Federata e Shigjetarisë së Kosovës.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka vlerësuar rëndësinë e sportit dhe të aktiviteteve që promovojnë disiplinën dhe përkushtimin te të rinjtë.
Ai ka theksuar se shigjetaria kërkon përqendrim, durim, disiplinë dhe vendosmëri, vlera që, sipas tij, ndihmojnë në ndërtimin jo vetëm të sportistëve të suksesshëm, por edhe të të rinjve me karakter të fortë.
Muharremaj ka shprehur përkushtimin që Suhareka të vazhdojë të mbështesë sportin dhe rininë, duke uruar garuesit, organizatorët dhe Federatën e Shigjetarisë së Kosovës për realizimin e këtij aktiviteti.