LAJME

Pas vendimit të Supremes – Policia thotë se do t’i kthejë patentë-shoferët, por ndalimi i vozitjes mbetet në fuqi

Pas vendimit të Supremes – Policia thotë se do t’i kthejë patentë-shoferët, por ndalimi i vozitjes mbetet në fuqi
TV Prizreni
TV Prizreni
3 Nëntor 2026, 11:52

Policia e Kosovës do të nisë kthimin e patentë-shoferëve të cilët u janë marrë përkohësisht shoferëve si pasojë e masave mbrojtëse, në rastet kur ka kaluar afati ligjor për mbajtjen e tyre.

Ky veprim vjen pas një aktgjykimi të Gjykatës Supreme të Kosovës, të datës 20 tetor 2026, të cilin Policia e ka pranuar më 2 nëntor. Me këtë vendim është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 05/2023 për Procedurat e Kundërvajtjes.

Sipas sqarimit të Policisë, vendimi i Gjykatës Supreme nuk e heq masën mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit dhe as nuk i anulon ndalesat e shqiptuara më herët. Ato vazhdojnë të mbeten në fuqi deri në përfundimin e afatit të përcaktuar.

Ndryshimi lidhet vetëm me kohëzgjatjen e mbajtjes fizike të patentë-shoferit nga Policia. Bazuar në nenin 244 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme, kjo kohë nuk mund të jetë më e gjatë se tetë ditë.

Policia ka bërë të ditur se do të ndërmarrë veprimet për kthimin e patentë-shoferëve të marrë përkohësisht, në rastet kur ka përfunduar afati ligjor i mbajtjes së tyre.

Megjithatë, kthimi i dokumentit nuk nënkupton se shoferët mund të rikthehen në timon. Personat që kanë masë aktive të ndalimit të drejtimit të automjetit vazhdojnë të jenë të ndaluar të vozisin deri në përfundimin e saj.

Policia paralajmëron se shkelja e kësaj mase dënohet me 500 euro gjobë, gjashtë muaj ndalim të drejtimit të automjetit, pesë pikë negative dhe konfiskim të përkohshëm të automjetit, në përputhje me nenin 246 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Ndërkohë, Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në trafik dhe verifikimin e masave mbrojtëse, pikëve negative dhe kufizimeve të tjera ligjore, përmes evidencave përkatëse.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika