Në fund të dhjetorit të vitit 2020, në Zvicër jetonin 2,151,854 të huaj. Prej tyre 1,470,945 ishin shtetas të BE / EFTA / BM dhe 680 909 shtetas të vendeve të treta.
Gjatë vitit 2020 janë natyralizuar gjithsej 33,873 të huaj. Krahasuar me vitin e kaluar, kjo tregon një rënie prej 6073 personash (–15,2%).
Lexo Edhe:
Sadiku: T’i përmbahen masave edhe ata që e kaluan koronavirusin, së shpejti vijnë vaksinat
Me 328,270 njerëz, italianët vazhdojnë të përbëjnë grupin më të madh të popullsisë së huaj në Zvicër. Grupi i dytë më i madh i të huajve përbëhet nga shtetas gjermanë (311 481 persona), i ndjekur nga shtetasit portugezë (260 921 persona) dhe ata francezë (146 367 persona).
Shtetasit e Kosovës, vijnë pas francezëve, pra, në vendin e pestë, me 114.682 persona.
Siç dihet tashmë, ky numër nuk pasqyron numrin real as të shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë të Kosovës dhe aq më pak atë të shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, në përgjithësi. Kjo, për faktin se statistika zyrtare njeh vetëm numrin e bartësve të shtetësisë së një vendi përkatës, në këtë rast, të Kosovës dhe jo edhe etninë e tyre.
Për më tepër, në këtë statistikë nuk përfshihen më si kosovarë ata shtetas të Kosovës që kanë marrë ndërkohë shtetësinë zvicerane.
Megjithatë, gjatë vitit 2020, periudhë kur ka pasur numër dukshëm më të vogël të të ardhurve në Zvicër, numri i kosovarëve ka shënuar një rritje të konsiderueshme.
Siç mund të shihet në rubrikat e BFS (Zyra Federale për Statistikë) të publikuara dje, numri i të huajve me shtetësi kosovare në Zvicër është rritur nominalisht për 4184, duke arritur në 114 686, shkruan albinfo.ch. Por, kjo nuk i referohet tërësisht ardhjes së kosovarëve në Zvicër gjatë vitit që kaloi.
Kështu, “rritja efektive” ajo e regjistruar si ardhje e re e kontingjentit kosovar gjatë vitit 2020 ka qenë për 1846 persona. Për 1662 veta është rritur ky komunitet në saje të natalitetit, pra lindjeve të reja. Ndërsa një vit më parë, në fund të vitit 2019 në Zvicër kanë qenë 113.800 shtetas kosovarë.
Nga ana tjetër, një faktor interesant i rritjes del ai që rezulton nga braktisja që kosovarët i kanë bërë shtetësisë serbe duke marrë pasaportën kosovare. Ky proces që ka filluar në votin 2008, me pavarësimin e Kosovës po vazhdon edhe sot. Mbi këtë bazë, në Zvicër gjatë fitit 2020 janë shtuar 487 shtetas kosovarë.
Po ashtu 2264 kosovarë gjatë kësaj periudhe kanë fituar shtetësinë zvicerane dhe kjo, bashkë me faktorët tashmë të përmendur e shpjegon dallimin në mes të rritjes nominale prej 4184 vetave dhe shifrave për dy vitet respektive (113.800 në vitin 2019 dhe 114.686 në vitin 2020.
Edhe numri i shtetasve të Maqedonisë së Veriut gjatë vitit të kaluar ka shënuar një rritje. Ai është rritur në 67567 nga 67010 sa ishte një vit më parë. Po ashtu një rritje ka edhe numri i shtetasve të Shqipërisë, nga 2149 në 2394.