Reshjet e rrëmbyeshme të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Stamboll, duke përfshirë rrugë, shtëpi, biznese dhe nënkalime. Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa autoritetet kanë ndërmarrë masa emergjente.
Stambolli është përfshirë nga përmbytje të mëdha pas reshjeve të dendura të shiut më 14 tetor, të cilat kanë shkaktuar kaos në trafik dhe kanë vështirësuar qarkullimin në disa pjesë të qytetit.
Sipas mediave turke, përfshirë TRT Haber dhe agjencinë e lajmeve DHA, situata më e rëndë është raportuar në lagjen Ayazağa, në distriktin Sarıyer, ku rrugët janë mbuluar nga uji dhe shumë automjete të parkuara janë marrë nga rrjedha e fuqishme e ujit.
Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë vetura që tërhiqen zvarrë nëpër rrugë, ndërsa disa prej tyre mbeten të zhytura plotësisht në ujë. Përmbytjet kanë prekur edhe banesa e lokale afariste, ndërsa në disa zona njerëzit kanë mbetur të bllokuar.
Sipas raportimeve të mediave turke, në disa raste ekipet e shpëtimit është dashur të ndërhyjnë për të evakuuar personat e bllokuar. Ndërkohë, në zonën e Sarıyerit, rreth 200 punëtorë të mbetur brenda disa objekteve afariste janë evakuuar nga ekipet emergjente.
Dy viktima nga reshjet
Reshjet e fuqishme kanë shkaktuar edhe humbje jete. Sipas raportimeve të publikuara nga mediat turke më 15 tetor, dy persona kanë vdekur në incidente të ndara të lidhura me motin e keq, njëri prej tyre një 14-vjeçar që dyshohet se u godit nga rryma elektrike në një zonë të përmbytur.
Autoritetet kanë angazhuar rreth 8 mijë pjesëtarë të ekipeve emergjente, së bashku me 2 mijë automjete dhe makineri, për t’u përballur me pasojat e vërshimeve. Vetëm gjatë periudhës nga ora 06:00 deri në 20:00 të 14 tetorit, autoritetet kanë pranuar 2.518 raportime për incidente të ndryshme, përfshirë përmbytje të banesave dhe lokaleve, rrëshqitje dheu dhe persona të bllokuar.
Për shkak të kushteve të rënda atmosferike, autoritetet kanë pezulluar mësimin fizik në institucionet arsimore për 15 tetor, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin daljet e panevojshme, të mos kalojnë në rrugë të përmbytura dhe të qëndrojnë larg nënkalimeve e zonave me rrezik nga vërshimet.
Ekipet emergjente po vazhdojnë ndërhyrjet për përballimin e situatës dhe largimin e ujit nga zonat e prekura.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.