LAJME

NATO shpalos planin për mbrojtjen e aleatëve europianë të Ukrainës nga Rusia

NATO shpalos planin për mbrojtjen e aleatëve europianë të Ukrainës nga Rusia
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Tetor 2026, 12:10

Përderisa Rusia po intensifikon aktet e sabotimit, zjarrvëniet e qëllimshme dhe sulmet kibernetike kundër vendeve europiane që mbështesin Ukrainën, NATO-ja ka paraqitur  një plan strategjik për ta frenuar Kremlinin në rast lufte, raporton gazeta “The New York Times” pas zbardhjes së “teorisë së fitores” të hënën (12.10.2026” nga gjenerali amerikan i NATO-s, Alexus G. Grynkewich, në Varshavë.

Derisa Rusia po shton përpjekjet për destabilizimin e vendeve europiane që mbështesin Ukrainën, komandanti i lartë ushtarak i NATO-s ka shpalosur planin për ta penguar Moskën në rast të një lufte të hapur, një koncept që ai e përmblodhi me fjalët: “blloko, dobëso dhe thyej”.

Komandanti, gjenerali Alexus G. Grynkewich i Forcave Ajrore të SHBA-së, ka deklaruar se aleanca nuk e sheh një konfrontim ushtarak me Rusinë si “të pashmangshëm apo të afërt”, pavarësisht sabotimeve, zjarrvënieve të qëllimshme, sulmeve kibernetike dhe dezinformimit rus që synojnë të lëkundin vendosmërinë europiane dhe të ndërpresin linjat e furnizimit me armë për Ukrainën.

Garancia e gjeneralit amerikan për Europën

Megjithatë, në këtë situatë, gjenerali ka theksuar se kishte marrë vendimin e qëllimshëm për ta bërë publik thelbin e planit të klasifikuar të luftës së NATO-s, të njohur si “teoria e fitores”, për ta forcuar besimin te 32 vendet aleate.

“Ajo që dua të bëj është t’i siguroj një miliard qytetarët e aleancës sonë se ne e kemi situatën nën kontroll”, ka deklaruar gjenerali Grynkewich të hënën në Forumin e Sigurisë në Varshavë. “Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Ne e dimë se si do ta bënim atë”.

Por, ndërsa komandanti amerikan me katër yje po theksonte se mbrojtja përfundimtare e NATO-s mbështetet te uniteti, në sallën e konferencës dëgjoheshin jehonat e kundërthënieve të forta gjeopolitike. Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për lehtësimin njëanshëm sanksionet ndaj Kremlinit me qëllim blerjen e naftës ruse, nxori në pah një mungesë koordinimi të theksuar midis planifikimit ushtarak të NATO-s dhe mbështetjes europiane për Ukrainën, nga njëra anë, dhe diplomacisë transaksionale të Shtëpisë së Bardhë e armiqësisë ndaj presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në anën tjetër.

Trump duket se të shtunën e fajësoi Ukrainën – që nuk ishte hera e parë – për luftën dhe tha se duhet të “zgjedhë një president të ri”.

Duke derdhur para të gatshme drejtpërdrejt në arkat e Kremlinit, administrata rrezikon të minojë vite të tëra presioni ekonomik nga aleatët, të vërë në dyshim  mesazhin e koalicionit perëndimor mbi parandalimin e agresionit dhe të sprovojë vetë solidaritetin që gjenerali Grynkewich kishte shkuar në Varshavë për ta demonstruar. Edhe nëse sasitë e naftës së blerë janë të vogla, simbolika e përçarjes është e madhe. Ukraina dhe Europa argumentojnë se vetëm presioni ekonomik dhe ushtarak do ta bindë presidentin rus Vladimir V. Putin t’i japë fund luftës që nisi. Nga ana tjetër, presidenti Trump dhe të dërguarit e tij duket se preferojnë ta joshin presidentin Putin me “marrëveshje”.

Tensioni ishte i dukshëm më herët gjatë ditës, kur kryeministri polak, Donald Tusk, paralajmëroi se mbrojtja e Ukrainës dhe siguria e NATO-s janë të lidhura pazgjidhshmërisht.

“Kushdo që, për çfarëdo arsye – tradhti, budallallëk apo para – dëshiron ta dobësojë Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus, qartazi po vepron kundër kombit të vet, sigurisë së shtetit të vet dhe sovranitetit të tij”, ka deklaruar Tusk.

Pa mëdyshje

I pyetur pastaj nëse aleatët europianë mund të mbështeten te Uashingtoni për mbrojtjen e tyre, gjenerali Grynkewich i hodhi poshtë hamendësimet se Shtetet e Bashkuara do të lëkundeshin, duke përmendur mijëra forca amerikane përgjatë krahut lindor të NATO-s, përfshirë ato në Poloni. Ai gjithashtu vuri në dukje deklaratat e samiteve të fundit, të cilat rikonfirmuan garancinë themelore të mbrojtjes kolektive të Nenit 5 të NATO-s.

Frika europiane ndaj një Rusie që po bëhet gjithnjë e më e guximshme është në rritje. Michal Koudelka, drejtori i Shërbimit të Informacionit të Sigurisë së Çekisë (shërbimi vendas i inteligjencës), paralajmëroi të hënën parlamentin e vendit se Rusia mund të përshkallëzojë situatën “brenda pak muajsh, e jo vitesh, në një operacion dukshëm më të rrezikshëm dhe më serioz”, i cili në të ardhmen mund të përfshijë veprime ushtarake të kufizuara kundër një shteti anëtar të NATO-s.

Gjenerali Grynkewich ka theksuar se doktrina e re e NATO-s bazohet drejtpërdrejt në mësimet e nxjerra nga fushat moderne të betejës në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

Konkretisht, tha ai, strategjia kombinon armët me saktësi të lartë me atë që ai e përshkroi si “masivitet me kosto të përballueshme” – një numër i madh sistemesh autonome, dronësh dhe mjetesh të luftës elektronike, të krijuara për mbështetjen e një lufte të gjatë shteruese.

Strategjia e “bllokimit, dobësimit dhe thyerjes” që ai i përshkroi është hartuar për të neutralizuar një pushtim që në hapat e parë, pa u përpjekur për ta pushtuar territorin e brendshëm të armikut.

Së pari, tregoi ai, forcat aleate “bllokojnë” menjëherë sulmin në kufi për ta parandaluar armikun që të marrë territore – një ndryshim strategjik ky që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Më pas, ato e “dobësojnë” ofensivën duke goditur trupat që përparojnë nga ajri, deti dhe toka, për t’ua ndalur atyre vrullin. Së fundmi, nëse sulmi vazhdon, ato e “thyejnë” armikun duke goditur furnizimet, linjat e komunikimit dhe rrjetet e komandës që u mundësojnë forcave të vijës së parë të frontit të vazhdojnë luftën, duke e dobësuar agresorin deri në pikën e kolapsit.

Gjenerali Grynkewich ka theksuar se NATO-ja nuk është e interesuar ta marrë territorin e një kundërshtari. Duke e kufizuar objektivin në mënyrë strikte te neutralizimi taktik dhe operacional të kundërshtarit, NATO-ja synon t’ia neutralizojë armikut çdo pretekst për përshkallëzim, ka thënë ai, duke ia lënë barrën morale dhe strategjike të zgjerimit të luftës plotësisht agresorit.

“Zbatimi i teorisë së fitores që përshkrova sot do të kërkonte që unë të jepja urdhra që shpresoj të mos i jap kurrë”, ka theksuar ai. “Por mos të ketë asnjë dyshim: nëse vjen lufta, ne do të bllokojmë dhe do të neutralizojmë çdo sulm, e më pas, nëse ai nuk ndalet, do t’i shkatërrojmë forcat që kryejnë agresion kundër nesh”.

Zyrtarët e Kremlinit i kanë hedhur vazhdimisht poshtë shqetësimet që po ngrihen në mbarë Europën.

“Ne nuk kemi ndërmend të luftojmë me Europën, të hyjmë në luftë me Europën; ky është një absurditet i plotë”, ka theksuar Sergey V. Lavrov, ministri i Jashtëm rus, gjatë një takimi të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator. “Por Europa po përgatitet për luftë me ne”, ka thënë ai. “Kjo mund të shndërrohet në një profeci që realizon vetveten”./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika